Roterdam Open zbulon gjysmëfinalistët e parë

Tenis

Roterdam Open zbulon gjysmëfinalistët e parë

Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 10:14
Roterdam Open

Pablo Carreno-Busta dhe Felix Auger-Aliassime u bënë dy gjysmëfinalistët e parë në Roterdam Open dhe për rrjedhojë të dy këta tenistë do të përballen ndërmjet tyre ditën e shtunë, për t’u kualifikuar për në takimin final të edicionit të 47-të të këtij turneu. Fillimisht numri 30 vuajti jashtëzakonisht shumë për të thyer qëndresën e adoleshentit italian Jannik Sinner, madje tenisti spanjoll i anuloi dy mundësi për ndeshjen 18-vjeçarit nga Tiroli i Jugut, në “tie break”-un e setit final.

Një ndeshje që i pati të gjitha, por që filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për 28-vjeçarin nga Barcelona, që e theu në servis kundërshtarin e talentuar italian pikërisht kur dy tenistët po bëheshin gati për të shkuar në “tie break”. Edhe në setin pasardhës diferenca u bë nga vetëm një lojë me “break”.

Jannik Sinner që në turneun e përvitshëm holandez përfitoi nga një ftesë e marrë nga organizatorët e turneut, reagoi mirë duke i rrëmbyer shërbimet tenistit iberik në “game”-n e tetë. Në setin final Carreno – Busta u shkëput shpejt e shpejt në 3-0, megjithatë nga disavantazhi 5-2 dhe 40-0, për më tepër kur shërbente vetë tenisti spanjoll Sinner anuloi plot tre “match point” për të shtyrë takimin në “tie break”. Në shifrat 6-4 radhën për të shpërdoruar dy mundësi për të mbyllur ndeshjen e pati pikërisht numri 79-të i botës dhe Carreno – Busta falënderoi duke marrë radhazi katër pikët e fundit të takimit, për të përfunduar duelin ndërmjet tyre me rezultatin 7-5, 3-6, 7-6 në pothuajse tri orë lojë.

Në sfidën tjetër tenisti 19-vjeçari kanadez i rrëmbeu shërbimet kundërshtarit të tij nga Sllovenia në “game”-n e dhjetë, për të mbyllur llogaritë e setit hapës me shifrat 6-4, ndërsa në setin e dytë numri 21 në rruzull kryesoi pa shumë vështirësi me rezultatin 3-0.

Numri 52 në planet përfitoi nga disa gabime rresht të tenistit të ri kanadez, për të ekuilibruar takimin dhe gjërat më pas shkuan sipas shërbimit. Në “tie break” Aljaz Bedene ishte pothuajse gjatë gjithë kohës në kryesim, gjithsesi në shifrat 6-5 Felix Auger – Aliassime anuloi një set point dhe siguroi tri pikët e radhës, për të fituar krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 6-4, 7-6, në afërsisht dy orë lojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat