Federatat e ndryshme të tenisit grumbullojnë plot 6 milionë dollarë

Tenis

Federatat e ndryshme të tenisit grumbullojnë plot 6 milionë dollarë

Më: 6 maj 2020 Në ora: 15:12
Federatat e ndryshme të tenisit grumbullojnë plot 6 milionë dollarë

Federatat e ndryshme të tenisit grumbullojnë plot 6 milionë dollarë, për të ndihmuar lojtarët në vështirësi.

Pandemia e koronavirusit në mënyrë të kuptueshme ka shkaktuar probleme të mëdha edhe në aspektin ekonomiko–financiar dhe tenisi përfaqëson padyshim një ndër sportet më të prekur. Në këtë mënyrë për t’iu ardhur në ndihmë pikërisht lojtarëve në nevojë, pra që kanë vështirësi për të përballuar këtë situatë sa të vështirë po aq edhe të pazakontë drejtuesit e federatave të ndryshme apo dhe turnetë e Grand Slam-it kanë bashkuar forcat për të mbledhur sa më shumë para, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të zbutur sadopak një krizë të tillë, shkruan supersport.

Natyrisht tenistët kryesorë nuk kanë aspak probleme të tilla, pasi përfitojnë shuma të jashtëzakonshme nga rezultatet që sigurojnë vetë në fushën e lojës, për më tepër lojtarët elitarë gëzojnë gjithashtu edhe të ardhura të tjera të majme nga të drejtat e imazhit apo dhe sponsorët e shumtë. Probleme pra në mënyrë të kuptueshme kanë lojtarët me renditje modeste, sepse siç dihet në këtë sport të gjithë lojtarët profesionistë si për femra ashtu edhe për meshkuj sakrifikojnë shumë për të marrë pjesë në turne të ndryshëm. Ky grup jo i vogël tenistësh apo tenistesh I mbulon vetë të gjitha pagesat për udhëtimet nga njëri vend në tjetrin, sistemimin nëpër hotele apo dhe shpenzimet e ndryshme që nevojiten, gjatë kohës që marrin pjesë në turnetë e shumtë, që përmban kalendari vjetor i këtij sporti.

Kështu federatat e ndryshme që u bashkuan në një iniciativë të tillë janë ATP dhe WTA që organizojnë aktivitetet respektivisht për tenistët dhe tenistet, Federata Ndërkombëtare e Tenisit ITF si dhe katër turnetë e Grand Slam-it, Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open. Të gjithë bashkuan forcat për të grumbulluar para në një fond të veçantë të krijuar enkas, për të ndihmuar dhe mbështetur sportistët në vështirësi, që këto kohë po përballen me sfidat e jashtëzakonshme dhe pasojat që ka shkaktuar virusi COVID-19. Kur u fol për një ide të tillë, 26-vjeçari austriak Dominic Thiem, që pozicionohet në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm botëror ATP u shpreh skeptik, duke theksuar se nuk priste që një iniciativë e tillë të kishte shumë sukses, teksa shtoi se nuk kishte aspak ndërmend për të ndihmuar tenistët me renditje më të ulët, por në fakt në këtë fond të veçantë u grumbulluan plot 6 milionë dollarë amerikanë, apo 5.3 milionë euro, madje një muaj më parë Thiem tha se sipas tij asnjë lojtar që praktikon këtë sport nuk do të vuajë për bukën e gojës, apo do të luftojë për të mbijetuar.

Finalisti i edicionit të sivjetshëm në Melbourne Park gjithsesi qartësoi se preferonte më mirë të ndihmonte njerëzit e zakonshëm në vështirësi apo organizatat e veçanta që kanë vërtet nevojë për t’u mbështetur në aspektin ekonomik. Me sezonin tenistik të ndërprerë zyrtarisht deri më datën 13 korrik janë plot 800 lojtarë apo lojtare në singles apo qoftë edhe në lojën dyshe që kanë nevojë për përkrahje financiare, gjithsesi mendohet që shpërndarja e këtyre parave të bëhet në bazë të renditjes në klasifikim si dhe të ardhurave të mëparshme në varësi të rezultateve të sezonit të vitit të kaluar.

Një shumë e tillë u grumbullua nga paratë e dhuruara nëpër ankande të ndryshme, nga vetë ndihma vullnetare në aspektin ekonomik e sportistëve të tjerë me gjendje shumë më të mirë financiare, ndeshjet virtuale të këtij sporti, apo qoftë edhe kontributi i federatave dhe katër turneve më të rëndësishëm të këtij sporti në glob. Shumë turne janë shtyrë, si për shembull Slemi Parizien që është zhvendosur në kohë për në fundin e muajit shtator, ndërsa në All England Club për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore do të mungojnë ndeshjet e turneut të famshëm të Wimbledon-it. Në mesin e muajit qershor pritet të merret një vendim edhe për Slemin Njujorkez, turneun e US Open që mbyll si zakonisht turnetë e mëdhenj në Flushing Meadows.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat