ATP dhe WTA prezantojnë kalendarin për pjesën e mbetur të vitit - Bota Sot
ATP dhe WTA prezantojnë kalendarin për pjesën e mbetur të vitit

Tenis

ATP dhe WTA prezantojnë kalendarin për pjesën e mbetur të vitit

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 10:10
Roger Federer

Federatat respektive të meshkujve dhe femrave ATP dhe WTA shpallën kalendarin për pjesën që mbetet nga sezoni tenistik i vitit 2020. Pandemia e koronavirusit i ka ndërprerë ndeshjet kompetitive që në në fillimin e muajit mars, megjithatë me rënien e forcës së virusit COVID-19 gjërat po i kthehen dalëngadalë normalitetit.

Te meshkujt sfidat e fundit që u luajtën ishin ndeshjet kualifikuese të skuadrave përfaqësuese në Kupën Davis dhe pas shkëputjes së gjatë për shkak të izolimit dhe masave të forta shtrënguese u mendua fillimisht që gjithçka të rifillonte në muajin korrik me turneun e Hamburgut, ndërsa më pas me përshkallëzimin e situatës sezoni u shty akoma më tepër në kohë, duke planifikuar rikthimin për në datën 3 gusht, me turneun që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, City Open.

Të gjithë po mundohen të fitojnë kohën e humbur dhe të rigjejnë formën e mëparshme, duke marrë pjesë në turne të ndryshëm përgatitorë që po zhvillohen anembanë globit, gjithsesi drejtuesit e Federatës ATP më në fund vendosën për të komunikuar kalendarin përfundimtar të pjesës së mbetur të sezonit dhe deri në fundin e vitit 2020 duke përfshirë edhe Kupën Davis në kategorinë e meshkujve do të zhvillohen 18 turne gjithsej. Gjithçka do të rinisë përsëri me turneun 500 Citi Open në Washington D.C. me ndryshimin e vetëm se ky aktivitet nuk do të zhvillohet më datë 3 por 17 gusht.

Në vijim radhën e ka Mastersi i Cincinnati-t, që krejt ndryshe nga herët e tjera me vendim të Federatës Amerikane të Tenisit për shkak të situatës së koronavirusit nuk do të mbahet më në Ohio por në New York, më datën 24 gusht në Qendrën Tenistike Kombëtare Billie Jean King. Tenistët do të qëndrojnë po në qytetin më të populluar të Shteteve të Bashkuara, pasi më datë 31 gusht në Flushing Meadoës – Corona Park në Queens do të startojë edicioni i 140 i turneut të madh US Open.

Gjatë kohës që në Neë York do të luhen ndeshjet e javës së dytë në Austri do të zhvillohet turneu 250 në Kitzbuhel, sidoqoftë trecereku i muajit shtator do të përbëhet vetëm nga turnetë që do të luhen në fushat me dhe. Kështu në datat 14 dhe 21 të këtij muaji do të fillojnë njëri pas tjetrit dy turnetë tradicionalë Masters në Clay Court, në Madrid dhe Romë, ndërsa më 28 shtator në Kompleksin Roland Garros nis turneu i madh i Parisit. Nga tetori e në vazhdim të gjithë turnetë e tjerë do të luhen në çimento ose në sipërfaqe të shpejtë.

Gjatë kohës që në kryeqytetin francez do të zhvillohen ndeshjet e javës së dytë të turneut të Roland Garros-it në Kinë në datë 5 tetor do të mbahet turneu i përvitshëm 500 i Pekinit, gjithsesi tenistët do të mbeten në Lindjen e Largët, sepse një javë më vonë pra më datë 12 tetor në Kinë do të luhen ndeshjet e Mastersit të Shanghai-t. Më datë 19 të këtij muaji do të fillojnë ndeshjet tre tune njëkohësisht. Bëhet fjalë për turne me vlerën e 250 pikëve, më saktë për tre turne që do të zhvillohen në Rusi, Suedi dhe Belgjikë, respektivisht në Moscoë, Stockholm dhe Antwerp.

Turnetë e fundit 500 përsa i përket vitit 2020 do të startojnë si përherë njëkohësisht, më datë 26 tetor në Vjenë dhe Bazel, në ambiente të mbyllura. Mastersi i fundit i sezonit do të nisë në Paris – Bercy më datë 2 nëntor, e pas këtij turneu do të përcaktohet edhe renditja përfundimtare në bazë të pikëve të grumbulluara gjatë gjithë vitit 2020. Tetë tenistët më të mirë nën 21 vjec do të masin forcat në finalet e sezonit në Milano duke filluar nga data 9 nëntor, për turneun e ekzibicionit Next Generation ATP Finals, ndërsa turneu përmbyllës i tetë tenistëve më të mirë të klasifikimit të përgjithshëm ATP do të zhvillohet një javë më pas në Londër në O2 Arena.

Gjithçka përsa i përket meshkujve do të mbyllet më datë 23 nëntor në Madrid, me finalen e madhe të Kupës Davis. Deri tani në këtë kategori spikasin kiliani Cristian Garin, francezi Gael Monfils, rusi Andrey Rublev si dhe tenisti nga Serbia Novak Djokovic. Nole është padyshim tenisti më i suksesshëm i dy muajve të parë të vitit, me triumfet në Australian Open dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke grumbulluar 3.165 pikë gjithsej dhe përfituar afërsisht 4.5 milionë dollarë.

Nëse meshkujt do t’i fillojnë ndeshjet më datë 17 gusht në Washington D.C. femrat do të zbresin në fushë më herët, duke filluar nga data 3 gusht me turneun e Palermos. Aktiviteti i fundit për të nxjerrë edhe renditjen përfundimtare të Federatës WTA do të nisë më datë 2 nëntor në Rusi dhe bëhet fjalë për turneun e kategorisë Premier, Kremlin Cup në Moskë, ndërsa finalet e sezonit me tetë tenistet më të mira të vitit 2020 do të startojnë më datë 9 nëntor në Kinë, në Qytetin e Shenzhenit. Tenistja më e suksesshme në pjesën e parë të vitit konsiderohet padyshim tenistja nga Shtetet e Bashkuara, 21-vjecarja me origjinë ruse Sofia Kenin, që fitoi turnetë në Australian Open dhe Lyon, duke grumbulluar 2.111 pikë dhe përfituar plot 2.9 milionë dollarë, transmeton SS.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat