Alarmin e jep Petra Kvitova!

Tenis

Alarmin e jep Petra Kvitova!

Më: 17 korrik 2020 Në ora: 18:14
Alarmin e jep Petra Kvitova!

Petra Kvitova beson se disa nga emrat e mëdhenj të tenisit botëror do të mungojnë në US Open. Tenistja e mirënjohur ceke që për momentin renditet në vendin e 12 në klasifikimin e përgjithshëm WTA mendon se Slemi Amerikan që zhvillohet çdo vit në Flushing Meadows do të privohet nga disa nga emrat më të rëndësishëm të këtij sporti, për shkak të izolimit dhe masave të forta shtrënguese që janë marrë nga drejtuesit e Turneut Njujorkez, për arsye të pandemisë së koronavirusit. Pas turneut hapës që u zhvillua në Melbourne Park, në radhë ishin dy turnetë e tjerë të mëdhenj Roland Garros dhe Wimbledon, sidoqoftë nëse aktiviteti londinez u fshi fare nga kalendari Slemi Parizien është programuar për t’u zhvilluar vetëm dy javë pas kompeticionit që do të mbahet në Flushing Meadows-Corona Park në Queens, shkruan Supersport..

Pra do të ketë një ngjeshje të dukshme të kalendarit dhe duke marrë në konsideratë edhe situatën e vështirë që po përjetojnë tenistët apo tenistet, si dhe kohën e gjatë pa stërvitje, për shkak të frikës së përhapjes së virusit COVID-19, në mënyrë të kuptueshme do të jetë praktikisht e pamundur për të gjithë që të ruajnë të njëjtën formë, si në dheun e kuq parizien ashtu edhe në çimenton e kompleksit të famshëm të Qendrës Tenistike Kombëtare të Shteteve të Bashkuara Billie Jean King. 2 herë kampionia e turneut në All England Club është e bindur se disa tenistë apo teniste do të preferojnë për të mos marrë pjesë, nëse në qytetin më të populluar amerikan do të vazhdojnë masat e forta shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit. Situata në këtë vend vazhdon të jetë tepër problematike, madje shteti më i prekur është pikërisht New Yorku, ku kanë humbur jetën 32.500 vetë. Shtetet e Bashkuara janë me diferencë vendi më i prekur në planet nga virusi COVID-19.

Vetëm ditën e enjte në këtë vend ndërruan jetë 963 persona, madje po këtë ditë në Shtetet e Bashkuara u regjistruan shifra alarmante me 73.400 raste të reja infektimi, që e cuan numrin e të prekurve nga koronavirusi në afërsisht 3.7 milionë, prej të cilëve më shumë se 141.000 raste kanë rezultuar fatale. Teksa numri i rasteve sa vjen e shtohet rregullat që janë përcaktuar nga organizatorët e turneut US Open janë ende shumë të paqarta, sidomos për stafin shoqërues dhe numrin e kufizuar të njerëzve që do të ketë me vete cdo tenist apo teniste, për më tepër të gjithë janë të shtrënguar për t’u sistemuar në zonat përreth qendrës, por jo në Manhattan, për të evituar trafikun dhe vonesat që mund të shkaktohen nga mbipopullimi I kësaj zone. Fituesja e Wimbledon-it në vitet 2011 e 2014 deklaroi për radion e mirënjohur britanike BBC 5 live se ajo është në dijeni të faktit që disa emra të rëndësishëm nuk do të udhëtojnë fare, nëse masat shtrënguese do të jenë kaq të rrepta sa edhe tani.

30-vjecarja ceke nuk është akoma e qartë për atë që do të ndodhë, në lidhje me masat e izolimit apo qoftë edhe numrin e personave shoqërues, por mbi të gjitha Kvitova i druhet një karantinimi tjetër përtej Atlantikut. Vetë numri 1 i botës i tenisit për meshkuj Novak Djokovic ka deklaruar pak kohë më parë se nuk është i sigurtë nëse do të marrë pjesë apo jo në edicionin e sivjetshëm të Slemit Njujorkez, megjithatë rezerva ka shfaqur gjithashtu edhe kampioni në fuqi në US Open Rafael Nadal, që vitin e kaluar mposhti në finale, në një takim tepër dramatik që zgjati plot pesë orë lojë numrin 5 të botës, rusin Daniil Medvedev. Petra Kvitova për momentin ndodhet në Gjermani, ku është regjistruar në një turne indoor ekzibicioni, që mbahet në Berlin, gjithsesi bëhet fjalë për aktivitetin e parë sportiv në vendin teuton me praninë e publikut, megjithëse për hir të së vërtetës spektatorëve nëpër tribuna iu është kërkuar për të respektuar rregullat e distancimit social.

Kvitova që më herët ka zhvilluar ndeshje pa praninë e spektatorëve e ka konsideruar atë si një eksperiencë tepër të cuditshme dhe tenistja ceke ka shtuar se nuk është e aftë për të përballuar një situatë të tillë, për të luajtur pra me dyer të mbyllura. Kvitova ka shpjeguar se sipas saj zhvillimi I një turneu të Grand Slam-it pa praninë e publikut nuk mund të ketë kuptim. Tenistja ceke ka qartësuar se do të vendosë përfundimisht nëse do të marrë pjesë apo jo në Neë York vetëm pasi të sigurohet për gjithcka dhe të njihet me kushtet që duhen respektuar, në bazë të protokollit që do të përcaktojnë organizatorët në Flushing Meadows.

Është bërë e ditur gjithashtu që fituesja e 23 titujve Slam Serena Williams do të rikthehet në fushën e lojës për herë të parë, që pas shkëputjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit, për të marrë pjesë në edicionin e parë të turneut Top Seed Open në Lexington, në Kentucky, që do të startojë më datë 10 gusht, turne ku do të luajë edhe tenistja tjetër amerikane Sloane Stephens. Turneu i Leksingtonit është një nga dy aktivitetet që do të fillojnë më datë 10 gusht në fushat me dhe të kuq, ndërkohë sezoni për femrat do të rifillojë një javë më herët, pra më datë 3 gusht, në Itali me turneun e përvitshëm të Palermos, që zhvillohet gjithashtu në “clay”, ndërsa Slemi Njujorkez është programuar për datën 31 gusht dhe do të luhet për dy javë në Flushing Meadows–Corona Park, në Queens.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat