Kur mbeten vetëm pak ditë nga starti i turneut të madh US Open

Tenis

Kur mbeten vetëm pak ditë nga starti i turneut të madh US Open

Më: 28 gusht 2020 Në ora: 17:39
Kur mbeten vetëm pak ditë nga starti i turneut të madh US Open

Kur mbeten vetëm pak ditë nga starti i turneut të madh US Open, në New York u hodh shorti i edicionit të 140 të Slam-it Amerikan.

Për momentin Federeri kryeson me 20 pikë, Nadali ndjek me 19, ndërsa Nole ka një rast të shkëlqyer për të koleksionuar trofeun e 18 Slam në Karrierë, gjithsesi që të ndodhë kjo tenisti nga Serbia duhet të mposhtë emra të tillë si Daniil Medvedev, Stefanos Tsitsipas dhe Dominic Thiem, që të gjithë tenistë që renditen brenda gjashtëshes së parë, të klasifikimit të përgjithshëm ATP. Për hir të së vërtetës në pjesën e sipërme të shortit Nole nga këta emra ka vetëm tenistin grek, që për momentin pozicionohet pikërisht në vendin e gjashtë në renditjen botërore dhe me 22-vjecarin helen Djokovic mund të përballet vetëm në raundin gjysmëfinal.

33-vjecari do ta fillojë aventurën e tij ndaj numrit 107 të botës, tenistit boshnjak Damir Dzumhur, ndërsa në turin e dytë tenisti serb do të masë forcat me fituesin e ciftit Kyle Edmund – Alexander Bublik, një ndeshje jo edhe aq e lehtë në letër, duke marrë në konsideratë faktin që si tenisti britanik ashtu edhe ai kazak kanë një shërbim shumë të fortë.

Në raundin e tretë me shumë gjasa Nole do të përballet sërish me gjermanin Jan-Lennard Struff, të cilin ditën e mërkurë Djokovic-i e shkatërroi 6-3, 6-1 po në New York, në Mastersin Western and Southern Open, sepse siç dihet Turneu i Cincinnati-t këtë vit për shkak të frikës së përhapjes së Virusit COVID-19 nuk u zhvillua në Ohio, por në Qendrën Tenistike Billie Jean King, në Flushing Meadows–Corona Park, në Queens, pikërisht pra në kompleksin ku nga data 31 gusht deri më 13 shtator do të zhvillohet edhe edicioni i sivjetshëm jubilar i Slam-it Amerikan.

Në sektorin e parë një kundërshtar i mundshëm për Djokovic-in në turin e katërt pritet të jetë tenisti vendas, gjiganti nga Karolina e Veriut John Isner, që mban vendin e 21 në renditjen botërore, apo qoftë edhe spanjolli Pablo Carreno Busta, që është i 25 në klasifikimin ATP. Në fazën cerekfinale Nole mund të gjejë përballë një nga dyshja Denis Shapovalov – David Goffin, ndërsa në katërshe nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë gjysmëfinalja e pjesës së sipërme të shortit pra pritet të jetë ndaj tenistëve të tillë si Stefanos Tsitsipas dhe Alexander Zverev. Pjesa e poshtme është e hapur për të gjithë, kështuqë në këtë anë pritet një betejë e fortë ndërmjet emrave të tillë si Dominic Thiem, Karen Khachanov, Roberto Baustista Agut, Grigor Dimitrov, Andrey Rublev, Matteo Berrettini dhe numrit pesë të botës, 24-vjecarit moskovit Daniil Medvedev, që vjet e shtrëngoi Nadalin në një finale me pesë sete, që zgjati plot pesë orë lojë. Te femrat problemet janë akoma më të mëdha për organizatorët, pasi në edicionin e 134 të kësaj kategorie do të mungojnë plot 6 nga 10 tenistet më të mira të klasifikimit WTA.

Kështu përveç numrit 1 të botës australianes Ashleigh Barty do të mungojnë për shkak të frikës prej pandemisë së koronavirusit gjithashtu edhe numri 2, rumunia Simona Halep, e më pas me radhë nuk do të marrin pjesë edhe katër tenistet që pozicionohen nga numri 5 te numri 8, pra ukrainasja Elina Svitolina, tenistja kanadeze Bianca Andreescu që është kampionia në fuqi, holandezja Kiki Bertens dhe tenistja zvicerane Belinda Bencic, që vitin e kaluar shkoi derin në fazën gjysmëfinale ku u mund pikërisht nga tenistja me origjinë rumune që fitoi turneun. Numrin 1 organizatorët ia kanë dhënë cekes Karolina Pliskova që do të përballet në raundin hapës me ukrainasen Anhelina Kalinina, ndërsa në pjesën e poshtme tenistja kryesore është sportistja që triumfoi në Australi Sofia Kenin, e cila do të masë forcat me belgen Yanina Wickmayer. 6 herë fituesja e këtij turneu dhe numri 9 i botës, 38-vjecarja Serena Williams, e cila ka humbur radhazi dy finalet e fundit do ta nisë aventurën e saj në New York në pjesën e poshtme të shortit me bashkëkombasen e saj Kristie Ahn, që renditet e 97 në rruzull, ndërsa fituesja e vitit 2018 22-vjecarja japoneze Naomi Osaka do të sfidojë në turin hapës tenisten tjetër nipone Misaki Doi. .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat