Nadal mposht amerikanin

Tenis

Nadal mposht amerikanin

Më: 4 tetor 2020 Në ora: 18:14
Nadal mposht amerikanin

Rafael Nadal mposhti lehtë tenistin nga Shtetet e Bashkuara, Sebastian Korda, duke u kualifikuar për në fazën çerekfinale të turneut të madh të Francës “Roland Garros”. 20-vjecari nga Florida që fitoi të drejtën për të shkuar deri te 16 më të mirët e Slam-it të sivjetshëm parizien, pozicionohet aktualisht në vendin e 213 në renditjen e përgjithshme ATP, e në fakt tenisti i ri amerikan u mund thellë nga idhulli i tij, që e ka fituar plot 12 herë në karrierë “Kupën e Musketierëve”.

Në “Philippe Chatrier” numri 2 i botës dominoi takimin nga fillimi në fund, duke mbyllur gjithçka në vetëm tre sete. Një ndeshje që zgjati afërsisht dy orë, por që nuk pati fare histori dhe në këtë mënyrë Rafa kualifikohet mes tetë më të mirëve të “Roland Garros”-it duke regjistruar fitoren e katërt radhazi, pa humbur asnjë set.

Natyrisht “mbreti i fushave me dhe” ka përfituar në maksimum edhe nga shorti shumë i lehtë, gjithsesi tenisti i famshëm spanjoll do të shkojë në javën e dytë të Slam-it parizien i qetë, e mbi të gjitha edhe tepër i çlodhur. 20-vjeçari amerikan kishte fituar plot 6 ndeshje për të mbërritur deri në këtë fazë, sidoqoftë Nadali e mundi keqas, duke e thyer madje plot tetë herë në servis.

Në krahun tjetër Rafa u thye me break thjesht në game-n hapës të setit të tretë, set ku për hir të së vërtetës Sebastian Korda u shkëput për të kryesuar deri në 2-0, gjithsesi edhe në këtë rast 34-vjeçari nga Majorka u kundërpërgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar edhe gjashtë game-t e fundit të takimit. Në fund tenisti iberik humbi vetëm katër game gjithsej dhe Nadali ia doli mbanë për të fituar krejt ndeshjen me rezultatin e thellë 6-1, 6-1, 6-2.

Rafa e mbylli takimin 91-55 me pikë, duke regjistruar 15 goditje fituese dhe 20 gabime në total. Tenisti spanjoll ka fituar tre edicionet e fundit në dheun e kuq të kryeqytetit francez, madje në dy sezonet e fundit Rafel Nadali ka mposhtur në të dy rastet tenistin austriak Dominic Thiem, që mban vendin e tretë në renditjen botërore dhe me shumë gjasa 27-vjeçari vjenez do të jetë edhe kundërshtari i kampionit në fuqi në fazën gjysmëfinale, në pjesën e poshtme të shortit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat