Kvitova mposht kinezen Zhang dhe kalon në çerekfinale

Tenis

Kvitova mposht kinezen Zhang dhe kalon në çerekfinale

Më: 5 tetor 2020 Në ora: 21:27
Petra Kvitova

Petra Kvitova u kualifikua për në fazën çerekfinale të Turneut të Madh të Francës Roland Garros, për herë të parë që nga viti 2012. Tenistja e mirënjohur çeke mundi pa shumë vështirësi, në vetëm dy sete 31-vjeçaren kineze Shuai Zhang, që pozicionohet në vendin e 40 në renditjen e përgjithshme botërore WTA.

Duke parë eliminimet surprizë, tërheqjet apo qoftë edhe mungesat e bujshme tani me të drejtë Petra Kvitova konsiderohet si tenistja favorite për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm të Slam-it parizien, natyrisht për shkak edhe të eksperiencës së saj të madhe, krahasuar me emrat e tjerë që kanë mbetur ende në garë.

Në kryeqytetin francez dy tenistet zbritën në fushën qendrore “Philippe Chatrier” të mbuluar, për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë pushtuar Parisin, sidoqoftë pa u munduar shumë 30-vjeçarja çeke fluturoi shpejt e shpejt në avantazhin 4-0. Pasi fitoi lehtë setin hapës numri 11 I botës e theu kundërshtaren e saj që në game-n e parë të setit të dytë, për t’u shkëputur në shifrat 2-0.

Të dyja tenistet nuk kishin humbur asnjë set derisa mbërritën në fazën e 1/8, gjithsesi shtatlarta çeke u tregua e qetë dhe bëri lojën e saj, duke përfituar njëkohësisht edhe nga gabimet e shumta të tenistes kineze. E vetmja notë negative për të u shënua në game-n e tetë të setit të dytë, kur Kvitova po shërbente vetë për ta mbyllur takimin.

Shuai Zhang shtoi agresivitetin në lojë, duke e vënë në vështirësi në servis tenisten që ka triumfuar dy herë në Wimbledon, në vitet 2011 e 2014. Për rrjedhojë 30-vjeçarja shkaktoi tre gabime, duke i dhuruar game-n e vetëm me break tenistes nga Tianjini. Takimi natyrisht u zhvillua në rrethana të ndryshme nga zakonisht, sepse nga moti i ftohtë dhe plot erë dy tenistet u shtrënguan për të luajtur në një ambient të mbyllur.

Përfundimisht Petra Kvitova fitoi sfidën e raundit të katërt në Roland Garros me rezultatin 6-2, 6-4 në 85’ gjithsej duke marrë gjithashtu edhe kryesimin 3-2 në përballjet ndërmjet tyre dhe në fazën çerekfinale veterania ceke do të masë forcat me numrin 66 të botës, 32-vjeçaren gjermane Laura Siegemund, që mposhti në vetëm dy sete 7-5, 6-2 spanjollen Paula Badosa.

Kvitova pati përqindje më të mira në shërbim se sa kundërshtarja e saj dhe përfitoi sigurisht nga kushtet apo dhe nga goditjet e forta nga pjesa fundore e fushës. Tenistja çeke mori pikën në 9 nga 15 daljet e saj në rrjetë dhe e përfundoi takimin me 23 goditje fituese dhe 29 gabime. Ecurinë më të mirë në “Roland Garros” Petra Kvitova e ka regjistruar pra në vitin 2012, kur u mund në fazën gjysmëfinale 6-3, 6-3, pikërisht nga tenistja që fitoi në fund turneun e atij viti, Maria Sharapova. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat