Ideja e Australian Open

Tenis

Ideja e Australian Open

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 13:38
Ideja e Australian Open

Federata Australiane e Tenisit ka një ide të veçantë për të shpëtuar startin e vitit 2021 në këtë sport dhe jo vetëm. Në këtë shtet dhe ato përreth tij zhvillohen turnetë e parë të vitit në sportin e tenisit, përfshi edhe grand slam të Australian Open. Federata synon të investojë mbi 30 milionë dollarë për sigurinë e tenistëve gjatë kësaj periudhe për të evituar anullimin e turneve, siç ndodhi këtë vit për shkak të pandemisë.

Me pandeminë që ende ka “pushtuar” botën e ardhmja e këtij sporti është në dilemë. Organizatorët e Australian Open kërkojnë që jo vetëm ky turne, por edhe ato që i paraprijnë atij të zhvillohen në Melburn. Ata kërkojnë që “vera australiane 2021” të shtrihet deri në shkurt, në mënyrë që tenistët të kenë mundësi të luajnë edhe në turnetë “e vegjël”.

Federata synon që tenistët që do të vijnë në Australi për grand slam-in që nis më 18 janar të qëndrojnë në Melburn deri në shkurt, për të patur mundësi të luajnë në të gjitha turnetë që ata dëshirojnë. Natyrisht që tenistët do të jenë të grumbulluar dhe do të lëvizin vetëm për t’u stërvitur dhe për të luajtur.

Kjo ide erdhi pasi turnetë që zhvillohen në Brisbane, Sidnei, Perth dhe Adelaide rrezikojnë të anullohen edhe për shkak të masave anti-Covid që ka marrë qeveria australiane për njerëzit që vijnë nga jashtë Australisë.

Organizatorët mendojnë se duke grumbulluar turnetë në një qytet të vetëm, Melburn, do të jetë më e lehtë për të kontrolluar tenistët dhe parandaluar infektimin e tyre me koronavirus, duke lëvizur sa më pak të jetë e mundur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat