Vendndodhja e tenistes së zhdukur kineze, shqetësim ndërkombëtar

Tenis

Vendndodhja e tenistes së zhdukur kineze, shqetësim ndërkombëtar

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 22:40
Peng Shuai

Shoqata e Tenisit për Femra njoftoi të mërkurën se ka vendosur të pezullojë turnetë në Kinë për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë e ish-yllit botëror të tenisit, Peng Shuai.

"Nuk e kuptoj se si mund t'u kërkoj sportistëve tanë të konkurrojnë atje, kur Peng Shuai nuk lejohet të komunikojë lirshëm dhe me sa duket, ndaj sa po ushtrohet trysni për të kundërshtuar deklaratat e saj për sulm seksual", tha nëpërmjet një deklarate shefi ekzekutiv i shoqatës Steve Simon.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, jam gjithashtu shumë i shqetësuar për rreziqet me të cilat mund të përballen të gjithë sportistët dhe stafi ynë, nëse do të zhvillonim aktivitete në Kinë në vitin 2022”, vijon më tej deklarata.

Vendndodhja e tenistes u kthye në një çështje shqetësimi ndërkombëtar për gati tre javë pasi ajo postoi një mesazh në mediat sociale ku akuzonte ish-zëvendës kryeministrin kinez Zhang Gaoli, për sulm seksual.

Më 21 nëntor, Presidenti i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach zhvilloi një telefonatë me video 30-minutëshe me tenisten Peng, tre herë fituese e medaljeve olimpike për të cilin mbështetësit thonë se mund të jetë nën trysni politike. Gjatë telefonatës ajo i tha zotit Bach se nuk ndodhej në rrezik as ajo dhe as familjarët e miqtë e saj.

Por zoti Simon, i cili tha se vendimi për të pezulluar turnetë në Kinë kishte mbështetjen e plotë të Bordit të Drejtorëve të shoqatës së Tenisit për Femra, nuk është i bindur se çdo gjë ishte në rregull për zonjën Peng.

"Ndërsa ne tani e dimë se ku është Peng, unë kam dyshime serioze nëse ajo është e lirë, e sigurt dhe se nuk i nënshtrohet censurës, shtrëngimit dhe frikësimit", tha zoti Simon.

“Shoqata e Tenisit për Femra ka qenë e qartë për atë që nevojitet në këtë rast. Ne përsërisim thirrjen tonë për një hetim të plotë e transparent, pa censurë, të akuzës për sulm seksual ndaj Peng Shuai-t”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat