Kasparov kritikon ashpër Gjokoviqin

Tenis

Kasparov kritikon ashpër Gjokoviqin

Më: 27 prill 2022 Në ora: 12:41
Kasparov kritikon ashpër Gjokoviqin

Gary Kasparov, mjeshtri i madh i shahut, e ka kritikuar tenistin serb, Novak Gjokoviqin, i cili i mbështeti sportistët rusë, për të cilët theksoi se ata që nuk e dënojnë luftën e shfarosjes nga presidenti Vladimir Putin në Ukrainë, në njëfarë mënyrë janë mbështetës të saj në heshtje.

Numri 1 i botës në tenis i kritikoi së fundmi organizatorët e turneut të madh të tenisit – Wimbledon, të cilët vendosën të mos i lejojnë të marrin pjesë tenistët rusë dhe ata bjellorusë.

Sipas tij, kjo është e papranueshme.

“Unë gjithmonë do ta dënoj luftën. Nuk do ta mbështes kurrë luftën pasi kam qenë edhe vetë fëmijë i luftës. E di se çfarë traume emocionale të mbetet. Në Serbi, ne krejt e dimë se çka kishte ndodhur në vitin 1999. Në Ballkan, i kishim disa luftëra në historinë e fundit. Sidoqoftë, unë nuk mund ta mbështes vendimin e Wimbledonin, mendoj se është një çmenduri. Kur politika përzihet në sport, rezultati nuk është i mirë”, kishte thënë Gjokoviq së fundmi.

Ndërkaq, Kasparov e përdori llogarinë e tij në “Twitter” për t’iu përgjigjur tenistit serb.

“Rusia ndoshta nuk po luan për t’u renditur, por ata po vrasin sipas kombësisë. Sportistët rusë të cilët nuk e dënojnë luftën ekstreme të Putinit në Ukrainë janë duke e mbështetur atë në heshtje.

Dhe, një serb që nuk e bën këtë është veçanërisht e pakuptueshme, duke e konsideruar historinë”, ka shkruar Kasparov, i cili e mban rekordin prej 255 muajsh si numër 1 në renditjen botërore të shahut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat