Nadal nuk dëshironte të rrezikonte

Tenis

Nadal nuk dëshironte të rrezikonte

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 14:35
Rafael Nadal

Një muze në nder të Rafael Nadal. Tenisti i njohur spanjoll nga inauguruar së fundmi në qendrën sportive të Manacor muzeun e dedikuar atij, ku gjithçka në brendësi të tij ka lidhje me mbretin e dheut të kuq. Në të pasqyrohen disa prej momenteve më të lavdishme të karrierës së tenistit nga Mallorca, disa nga trofetë e fituar prej tij, përfshi dhe atë të marrë në Roland Garros në vitin 2008 apo dhe dhurata të ndryshme të miqve të tij nga bota e tenisit dhe sportit. Ndërkohë që nuk mungojnë dhe mundësitë e argëtimit brenda këtij muzeu për të gjithë vizitorët. Numri i 4-të i botës për momentin në renditjen e ATP foli gjithashtu dhe për dëmtimet e shpeshta që e kanë mbërthyer kohët e fundit. Nadal nuk luan në një turne që prej Roland Garros dhe gjithashtu nuk do të jetë i gatshëm as për Rodgers Cup që do të mbahet këtë fundjavë në Toronto të Kanadasë. Gjithsesi shqetësimi kryesor për spanjollin lidhet me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike dhe dëshirën për të fituar arin, pas suksesit që arriti në vitin 2008 në Pekin. 30 vjeçari në konferencën e tij për mediat theksoi se mund të merrte pjesë dhe në Rodgers Cup por nuk dëshironte të rrezikonte ndërsa shtoi se ka marrë garanci nga stafi mjekësor se do të jetë gati për Olimpiadën. Një lajm i mirë ky dhe për organizatorët e Rio 2016, pasi shumë tenistë të mëdhenj kanë bojkotuar ose kanë shprehur pasiguri për shkak të virusit zika që ka përfshirë vendet e kontinentit amerikan, përfshi dhe Brazilin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat