Federer dëshiron ta rrezojë nga froni Nadalin, e konfirmon praninë në “Rotterdam Open” - Bota Sot
Federer dëshiron ta rrezojë nga froni Nadalin, e konfirmon praninë në “Rotterdam Open”

Tenis

E hënë, 22 tetor 2018

Federer dëshiron ta rrezojë nga froni Nadalin, e konfirmon praninë në “Rotterdam Open”

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 21:11
Roger Federer

Roger Federer sulmon numrin 1 të botës dhe për këtë, ka konfirmuar praninë në "Rotterdam Open".

Mbreti i tenisit ndryshon krejtësisht programin e tij dhe vendos për të marrë pjesë në turneun e Roterdamit për t’u rikthyer në çatinë e botës, ku në fakt mungon që prej vitit 2012.

Fituesi i 20 titujve Slam pranoi një Wild card, ftesë në gjuhën e tenisit nga organizatorët e turneut holandez, që mbahet si zakonisht në mesin e muajit shkurt.

36-vjecari zviceran kthehet kështu në Rotterdam Open pas një mungese 5-vjecare, më saktë që nga viti 2013, kur u eliminua që në fazën çerekfinale në vetëm dy sete nga francezi Julien Benneteau.

Veterani helvet ka luajtur për herë të parë në Roterdam në vitin 1999 dhe turneu i përvitshëm holandez përfaqëson një ndër turnetë e parë të rëndësishëm në karrierë për Roger Federer.

Lajmin e konfirmoi edhe vetë 36-vjecari nga Bazeli, që ndonëse ka afërsisht 25 milionë ndjekës në rrjetet sociale preferoi që ta bëjë zyrtar lajmin nëpërmjet adresës së tij zyrtare.

Aktiviteti i sivjetëshëm në Roterdam do të jetë jubilar, pasi bëhet fjalë për edicionin e 45 të këtij turneu, ku do të marrin pjesë gjithashtu edhe emra shumë të rëndësishëm si Grigor Dimitrov, Alexander Zverev, Stan Wawrinka, Nick Kyrgios, David Goffin, Tomas Berdych apo dhe Jo-Wilfried Tsonga.

Për hir të së vërtetës pas triumfit në Australian Open Roger Federer kishte programuar për t’u rikthyer në kalendar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në turneun prestigjioz të Dubait, ose drejt e në turnetë Masters që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara njëri pas tjetrit në muajin mars, pra Indian Wells dhe Miami gjithsesi duke parë se sa pranë fronit mbretëror ndodhej natyrisht Roger bëri zgjedhjen e duhur.

Edhe vitin e kaluar Federer iu afrua shumë pranë numrit 1 të botës në klasifikimin e përgjithshëm ATP, por u thye në finale në Mastersin kanadez, pikërisht në Rogers Cup në finale nga Sasha Zverev, ndërsa më pas e humbi fare nga shikimi Rafën, që triumfoi në US Open duke u shkëputur ndjeshëm, raporton SS.

Pas suksesit në Melbourne Park tenisti zviceran e sheh veten vetëm 155 pikë poshtë 31-vjecarit nga Majorka, që ka deklaruar se do të rikthehet për të luajtur në Mexico Open, në turneun e Acapulco-s që starton më datë 26 shkurt.

Roger Federer që me 60 milionë eurot e tij vitin e kaluar ishte sportisti i katërt më i paguar në glob, pas emrave të tillë si Cristiano Ronaldo, LeBron James dhe Lionel Messi mban rekordin, duke qëndruar për plot 302 javë në pozicionin e parë në renditjen ATP, megjithëse tenisti helvet mungon në majën e tenisit botëror që prej 4 nëntorit të vitit 2012.

Turneu i Roterdamit fillon të hënën e ardhshme dhe është kompeticioni që çel sezonin për sa i përket turneve me vlerën e 500 pikëve, sidoqoftë Roger e ka shënuar dy herë emrin e tij në librin e artë të këtij aktiviteti, teksa ka triumfuar në Holandë si në 2005 ashtu edhe në vitin 2012, kur ka mposhtur respektivisht trajnerin aktual, kroatin Ivan Ljubicic si dhe argjentinasin Juan Martin Del Potro.

Për të siguruar fronin e tenisit botëror Federerit i mjafton thjesht kualifikimi për në fazën gjysmëfinale, kalim që do t’i garantonte një sasi prej 180 pikësh, por që gjithashtu në moshën 36,5 vjet do ta shndërronte zviceranin vetvetiu në tenistin me moshë absolutisht më të madhe që fiton numrin 1 të botës, duke kaluar kështu amerikanin e famshëm Andre Agassi, që në vitin 2003 u ngjit në fron në moshën 33-vjeç e 4 muaj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test