Aksidenti në autostradën Shkup-Tetovë, kërcënohet shoferi i autobusit

Tetova

Aksidenti në autostradën Shkup-Tetovë, kërcënohet shoferi i autobusit

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 16:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shoferi që drejtonte autobusin e aksidentuar në afërsi të fshatit Llaskarcë, ka marrë kërcënime për jetë.

Këtë e bëri të ditur kryeprokurori Ljubomir Jovevski duke apeluar që të respektohet prezumimi i pafajësisë, të paktën deri sa organet nuk e përcaktojnë përgjegjësin për aksidentin tragjik.

Jovevski bëri thirrje që të respektohet privatësia e shoferit pasi sipas tij edhe shoferi është viktimë në aksident. I pari i organit ndjekës tha se po presin kompletimin e ekspertizave e më pas do të sillet vendim.

“Po, Prokuroria ka njohuri të tilla. Do të apeloja në atë pjesë të respektohet prezumimi i pafajësisë. Edhe njëherë po përsëris se Prokuroria nuk mundet konkretisht ta thotë fajtorin e aksidentit. Presim të mblidhen ende më shumë fakte, të gjithë dokumentet në pjesën e përgjegjësisë për këtë aksident trafiku. Në momentin kur Prokuroria do i sigurojë ekspertizat, edhe atë të komunikacionit por edhe ekspertizën mekanike të autobusit do të sjellë vendim”, deklaroi kryeprokurori Ljubomir Jovevski.

Nga prokuroria bëjnë me dije se shoferi por edhe një pjesë e udhëtarëve dhe dëshmitarëve okularë kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ndërkaq deputeti i Aleancës për Shqiptarët Syrija Rashidi shpreh dyshimet e tija për pasqyrim real të rastit nga organet e drejtësisë.

Pesë udhëtarë që ishin pjesë e aksidentit të autobusit më 13 shkurt, ende po luftojnë për jetë. Pacientët tjerë që shpëtuan me lëndime me të lehta, dita ditës po lëshohen për kurim shtëpiak. Në aksidentin e 13 shkurtit humbën jetën 15 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat