Panairi i librit në Tetovë me problemet e vjetra - Bota Sot
Panairi i librit në Tetovë me problemet e vjetra

Tetova

Panairi i librit në Tetovë me problemet e vjetra

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 17:08
Ilustrim

Mungesa e financave dhe mos përkrahja institucionale, bëjnë që panairet e librit, të jenë gjithnjë e më të varfër si nga shtëpitë botuese, po ashtu edhe në vizita dhe blerës. Përkundër problemeve të shumta, për të 19 herë me radhë krerët e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, arritën që karvanin e librave ta sjellin edhe në Tetovë.

“Përballemi me shumë probleme, siç ceka më herët, vështirësitë financiare, kjo është numër një, pastaj problemet nëpër kufi për të ardhur deri këtu. Normal se përkrahja duhet, dikush varet nga libri dhe duhet t`i ndihmohet”, tha Abdylmexhit Saliu. kryetar i SHBSH.

Ashtu sikurse vitet përpara, edhe këtë vit vërehej mungesa e blerësve dhe lexuesve. Sipas vizitorëve, kjo gjë ndodh për dy arsye. Çështja ekonomike që shpesh pamundëson blerjen e librit, por edhe mungesa e kulturës së leximit.

“Realisht është dobët blerja dhe lexueshmëria. Para së gjithash është mungesë e kulturës, po pastaj mund të thirremi edhe në çështjen ekonomike”.

“Nëse marrim parasysh se sa janë mundësitë reale që Tetovarët të blejnë libra apo ta vizitojnë panairin, është një pikë e dhimbshme, ngase të lexosh sot një libër, duhet të kesh standard të lartë. Në bazë të standardit që e kemi, të blesh një libër kushton shumë për rrogat që kemi”.

“Mungesa e vetme që mund të vërehet në këtë panair libri që sot po hapet në qytetin e Tetovës është mungesa e një këndi për At Gjergj Fishtën, i cili, edhe pse sot ka ditëlindjen është problem që të gjesh një titull libri të Fishtës, në gjitha këto shtange që po hapen sot”.

Tetovarët, panairin e librit që po hapet për të 19 herë me radhë në Tetovë, do mund ta vizitojnë deri më datë 27 tetor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat