Komuna e Tetovës në proces gjyqësor me një kompani për sheshin “Iliria” - Bota Sot
Komuna e Tetovës në proces gjyqësor me një kompani për sheshin “Iliria”

Tetova

Komuna e Tetovës në proces gjyqësor me një kompani për sheshin “Iliria”

Më: 1 mars 2020 Në ora: 21:06
Foto

Kështu do të duhej të dukej Buevardi “Iliria” në Tetovë. Ky projekt që shihni në pamje u prezantua si një projekt madhor nga Komuna e Tetovës më 17 mars të vitit 2017. Së bashku me këtë shëtitore, kryetarja e Komunës së Tetovës premtoi po ashtu hapësira të gjelbërta, 73 shtylla për ndriçim publik, 12 fontana me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e drunjve, 22 shporta për mbeturina, 32 konstruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët.

Por pas tre viteve, kjo është pamja e bulevardeve në Tetovë. Pa asgjë nga ajo që u premtua.

Komuna e Tetovës gjatë vitit 2016 hapi një tender me vlerë prej 53 milion denarësh me TVSH, që e fitoi kompania IR Grup në një tenderim publik. E njëjta gjatë vitit 2017 filloi me punë. Komuna e Tetovës më pas ndërroi edhe projektin ku pllakat e begatonin nga një ngjyrëshe u kërkua të bëhen shumëngjyrëshe ku edhe hapi një tender të ri me vlerë prej 17 milion e 830 mije denarë ku përsëri këtë projekt e fitoi kompania IR GROUP më 12 shtator të 2017.

Punët në fund të vitit 2017 u ndërprenë dhe vazhduan më vonë vetëm pjesërisht.

Nga Komuna e Tetovës thonë se me këtë kompani janë në proces gjyqësor dhe këmbëngulin se e kanë fituar gjyqin.

“Është një çështje që ne kemi pas proces dhe të cilin e kemi përfunduar në favorin tonë besoj se atë ta rumbullaksojmë edhe më punë deri në fund të këtij viti dhe e llogarisim si një prej projekteve që do të përfundohet. Faktikisht për disa çështje kemi qenë në gjyq për arsye se nuk janë përmbajtur kontratës dhe ata janë çështje të gjykatës dhe nuk janë çështje që do të deklarohem unë po meqë është bërë preja dhe është preja në favorin e duhur, ne do vazhdojmë me punimet aty me procedurë tjetër”, deklaroi Arifi.

Lidhur me këtë, nga kompania IR Grup nuk deshën të flasin para kamerave, por deklarojnë se Komuna e Tetovës në disa raste ka bërë ndryshimin e projektit dhe nuk e kanë bërë pagesën për punët që i kanë kryer.

“Projektin në bulevardin Iliria ka ndryshuar disa herë, ne si kompani të gjitha punët i kemi kryer në kohën e duhur por Komuna e Tetovës nuk ka bërë pagesën në kohën e duhur në bazë të marrëveshjes që kemi rënë dakord”, njoftojnë nga kompania “IR Grup”.

Televizionin 21 është interesuar edhe në gjykatën e Tetovës , por burimet tona atje thonë se procesi gjyqësor mes kompanisë dhe Komunës së Tetovës akoma është në shkallën e parë dhe i njëjti nuk ka përfunduar akoma ashtu siç pretendon kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat