Tetovë: Rrugët e ngushta problem për zjarrfikësit

Tetova

Tetovë: Rrugët e ngushta problem për zjarrfikësit

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 17:48
foto ilustrim

Në disa lagje të Tetovës shpesh herë ka ndodhur që intervenimi të kryhet nga largësia ose është intervenuar me automjet më të vogël të zjarrfikësve ngase kamioni i madh nuk ka patur qasje

Rrugët e ngushta, veturat e keqparkuara dhe vetëdija e ulët e vozitësve paraqesin një problem të madh gjatë intervenimeve të Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë. Me këtë problem kjo njësi përballet më shumë në brendinë e qytetit të Tetovës, pasi që qasja në vendngjarje ku ka zjarr shpesh herë është e pamundshme. Sipas udhëheqësit të Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, vozitësit duhet të kenë parasysh se me këto veprime vetëm se shkaktojnë vonesa për të arritur në kohë në vendin ku duhet që të shuhet zjarri. “Në qytetin e Tetovës përballemi me këtë problem, sepse hasim në vozitës të pandërgjegjshëm të cilët kanë parkuar veturat vend e pa vend dhe me kamionin e zjarrfikësve nuk mund të arrijmë afër zjarrit. Ky veprim i tyre nuk na shkakton vetëm neve problem, por edhe për ndihmën e shpejtë apo policinë. Dihet se në qytetin e Tetovës shumica e intervenimeve gjatë shuarjes së zjarrit kryhen nga rruga, prandaj edhe veturat që parkohen pranë objekteve jo vetëm që e pengojnë intervenimin tonë, por edhe rrezikohen që të kaplohen nga zjarri”, deklaroi Uka Aliti, Komandant i Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë.

Ai më tej shprehet se veprimet e këtilla shpesh herë ndikojnë që të arrihet në kohë deri në vendin ku ka shpërthyer zjarr. “Dihet se kur ka paraqitje të zjarrit janë në pyetje sekonda për të lokalizuar të njëjtin sepse nëse nuk arrijmë menjëherë, atëherë zjarri mund të përhapet edhe më shumë me shpejtësi, pikërisht sepse neve nuk kemi mundësi që të shkojmë në afërsi të objektit apo pronës ku duhet të shuajmë zjarrin. Problem më i madh në këtë drejtim paraqitet në pjesën e vjetër e qytetit të Tetovës, ku rrugët janë shumë të ngushta dhe përveç kësaj ka shumë vetura të parkuara në pjesët anësore të rrugës, dhe me kamion të njësisë së zjarrfikësve nuk mund të kalohet. Shpesh herë kemi ankesa nga njerëzit që kanë denoncuar zjarrin pse nuk kemi arritur në kohë në vendngjarje. Kjo është një nga arsyet se pse neve na ndodh kjo dukuri, ngase hasim në shumë vështirësi në rrugët e Tetovës, të cilët krahas shumë automjeteve, po ashtu janë edhe të ngushta. Në këtë drejtim policia dhe shërbimi i merimangës duhet që të jetë më shumë në terren dhe të mos lejojë që rrugët të jenë të pakalueshme , por duhet që edhe vet pronarët e automjeteve të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim”, shprehet Aliti.

Në disa lagje të Tetovës shpesh herë ka ndodhur që intervenimi të kryhet nga largësia ose është intervenuar me automjet më të vogël të zjarrfikësve ngase kamioni i madh nuk ka patur qasje. Nga Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë kanë apeluar deri tek vozitësit që të kenë sa më shumë kujdes se ku i parkojnë veturat e tyre, sepse gjithmonë duhet patur parasysh se automjetet e Ndihmës së shpejtë, policisë dhe zjarrfikësve duhet që të parët të arrijnë në vendngjarje, qoftë për aksidente, qoftë për zjarre apo për incidente tjera, ku ndonjëherë jeta e njeriut varet se a do të arrijmë në kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat