Tridhjetë për qind e të testuarve janë pozitivë me Kovid-19 në rajonin e Tetovës për dallim prej verës kur ka qenë shtatë për qind

Tetova

Tridhjetë për qind e të testuarve janë pozitivë me Kovid-19 në rajonin e Tetovës për dallim prej verës kur ka qenë shtatë për qind

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 15:32
foto ilustrim

Nëse gjatë periudhës së verës shtatë për qind prej numrit të përgjithshëm të qytetarëve të testuar kanë qenë pozitivë në Kovid-19, tani përqindja është 30 për qind, tregojnë analizat e shërbimit epidemiologjik në kuadër të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mosrespektimi i masave gjegjësisht mosmbajtja e maskave edhe më tej ngelet arsyeja më e madhe për transmetimin e gjerë të sëmundjes, potencojnë nga Qendra.

“Qyteti i Tetovës, rajoni i Tetovës ndodhet në fazën e rrezikut të lartë, në fazë të transmetimit të gjerë. Javën e kaluar numri i të prekurve na është rritur dyfish, dy herë më shumë se periudhën e kaluar. Në rajonin e Tetovës javën e kaluar janë regjistruar rreth 205 të infektuar të rinj. Në periudhën e verës pozitivë nga numri i përgjithshëm i të testuarve ishte shtatë për qind, tash më gjendja është përkeqësuar. Numrat për dy herë janë rritur për javën e kaluar kështu që këtë periudhë është njëjtë sikurse edhe në nivel shtetëror 30 për qind kemi persona pozitivë nga strishot e marra”, deklaroi sot dr. Suzana Subashiq, epidemiologe, specialiste, drejtuese e Repartit për Epidemiologji në kuadër të Qendrës për shëndet publik.

Epidemiologët në Tetovë thonë se ka transmetim të gjerë, gjegjësisht përhapje të sëmundjes për shkak se nuk po mbahen maska. Rekomandojnë mbajtjen e maskave edhe në hapësira të hapura ku ka dendësi të madhe të njerëzve siç janë tregjet.

“Në këtë moment kemi klasterë familjarë, përhapje të sëmundjes brenda familjes. Nuk duhet të mbyllen tregjet, por njerëzit të respektojnë masa, të mbahen maska në hapësirë të hapur ku dendësia e njerëzve është e madhe”, tha dr. Subashiq.

Dje Shtabi i krizave i Komunës Tetovës rekomandoi mësimdhënësit në vend se nga shkollat mësimin onlajn ta mbajnë nga shtëpia për shkak të numrit të madh të të infektuarve, por dr. Subashiq thotë se klasterë nuk ka në institucionet arsimore dhe se bëhet fjalë për raste individuale.

Më së shumti të prekur me virusin janë tek grupmosha 60-69 vjeç, pastaj grupi prej 30-39 vjeç, më pas 50 deri në 59 dhe 40 deri në 49 vjeç.

“Tani më së shumti preket popullata aktive e cila qarkullon nëpër qytet dhe shkon në punë. Është e dukshme se përqindje më të vogël të të infektuarve kemi tek fëmijët dhe tek 0-9 dhe prej 10 deri në 19, përqindja është më e vogël”, tha Subashiq.

Qendra tetovare për shëndet publik i ka bërë rreth 8000 testime nga marsi nga fillimi i pandemisë deri më tani. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është rreth 2000 për tetë muaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat