Komuna e Tetovës hesht për hidrocentralet në Malin Sharr

Tetova

Komuna e Tetovës hesht për hidrocentralet në Malin Sharr

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 16:53
Komuna e Tetovës

Komuna e Tetovës hesht dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të Alsat, nëse vetëqeverisja lokale e ka mbrojtur burimin e lumit Shkumbin, nga ku qytetit furnizohet me ujë të pastër të pijshëm. Nga Departamenti i marrëdhënieve me publikun në Tetovë dje thanë se përgjigje do të marrim sot, por shërbimi i Marrëdhënieve me Publikun, përveç që nuk na dërgoi përgjigje sot, nuk iu përgjigj as telefonatave tona. Situata është tejet shqetësuese, sepse sipas Inspektoratit të Mjedisit, një nga hidrocentralet e vogla, që po ndërtohen në Sharr është në afërsi të burimit të lumit Shkumbin, dhe është e mundur ndotja e ujit të pijshëm.

“Ne kemi përcaktuar se, ai që është më i avancuari në ndërtim, e që ndodhet më lart në malin e lumit Shkumbin ka mundësi potenciale për ndotjen e furnizimit me ujë të qytetit të Tetovë”, tha Ana Petrovska- U.D drejtore e Inspektoratit të mjedisit.

Shoqatat ekologjike mbeten të mendimit se ekonomia dhe ekologjia nuk shkojnë së bashku. Në zonë të mbrojtur nuk lejohet ecja e lëre më të ndërtohet hidrocentral, shprehen të prerë ambientalistët.

Heshtje edhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Nuk morëm përgjigje nga ministria përkatëse nëse hidrocentrali në lumin Shkumbini, për të cilin drejtorja e inspektoratit dje paralajmëroi se është në zonën e mbrojtur rreptësishtë të Parkut Nacional. Me shpalljen e Malit Sharr si Park Nacional, duhet të ndalohet lëshimi i koncesioneve për hidrocentrale të reja, ndërsa ata që kanë marrë leje por nuk kanë filluar me ndërtim duhet t’u merret leja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat