Tetovë, mbi një mijë raste aktive me COVID-19

Tetova

Tetovë, mbi një mijë raste aktive me COVID-19

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 17:52
Tetovë

Sot në mbledhjen e Shtabit të krizës pranë komunës së Tetovës u bë vlerësimi i situatës dhe u sollën përfundime për sa i përket menaxhimit të gjendjes epidemiologjike me COVID-19.

Në Tetovë dhe 5 komunat përreth, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 është 3526. Nga ky numër deri më tani janë shëruar 2287 persona kurse 140 kanë ndërruar jetë, me çka numri i rasteve aktive në Tetovë dhe 5 komunat përreth është 1004.

Në Spitalin klinik të Tetovës për momentin 45 persona marrin trajtimin e duhur shëndetësor dhe janë me përkrahje të oksigjenit. Gjithashtu edhe 10 pacientë me pasqyrë të mesme dhe të rëndë klinike po trajtohen në Spitalin për sëmundje të frymëmarrjes në Leshkë.

Gjendja epidemiologjike vazhdon të mbetet kritike, numrat janë në rritje, kurse personeli mjekësor edhe pse i lodhur, vazhdon me përkushtim betejën me COVID-19.

Sa i përket kapaciteteve spitalore, Qendra Klinike në Tetovë në kuadër të organizimit të brendshëm ka bërë ndarjen fizike të hapësirave ku trajtohen pacientët me covid19, me qëllim që të mund të ofrohen pandërprerë edhe shërbimet tjera shëndetësore të mjekësisë sekondare si dhe intervenime të ndryshme kirurgjike.

Në arsim gjendja me COVID-19 në çerdhet dhe shkollat e komunës së Tetovës është me sa vijon: Në çerdhet e kopshtit për fëmijë “Rinia” kemi 6 raste aktive dhe 1 grup të fëmijëve në izolim. Në shkollat fillore janë 16 mësimdhënës pozitiv dhe 8 grupe klasore në izolim. Në shkollat e mesme 22 mësimdhënës janë pozitiv me COVID19. Procesi i mësimit në distancë zhvillohet sipas planit të paraparë, dhe pas përfundimit të procesit të notimit të parë, janë duke u zhvilluar edhe këshillat e paraleleve!

Gjatë 7ditëve të kaluara prej 16 deri më 23 nëntor, sipas të dhënave nga SPB – Tetovë për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse janë shqiptuar urdhëresa për kundërvajtje për gjithsej 328 persona. Gjatë kësaj periudhe 714 persona kanë marrë vendime të reja për izolim, kurse janë kryer kontrolle edhe 1343 personave me vendim për izolim të detyrueshëm nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.

Më lejoni që në emër të Shtabit të krizës pranë komunës së Tetovës, edhe njëherë të apeloj që është shumë me rëndësi gjithsecili prej nesh të tregojë vetëdije të lartë njerëzore dhe shoqërore, dhe duke marrë parasysh seriozitetin e situatës epidemiologjike në vend, të respektojmë masat dhe rekomandimet mbrojtëse.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat