Më pak aksidente në rrugët e Tetovës

Tetova

Më pak aksidente në rrugët e Tetovës

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 17:04
Foto Ilustrim

Këtë vit që po lëmë pas, nëse diçka ka qenë pozitive, janë ulja e numrit të aksidenteve të trafikut, kur bëhet fjalë për rajonin e Tetovës. Kësisoj, sipas të dhënave të policisë së Tetovës, gjatë nëntë muajve të kaluar, janë regjistruar 440 aksidente trafiku, respektivisht 140 më pak në krahasim me nëntë muajt e vitit të kaluar.

Në nëntë muajt e këtij viti jetën e kanë humbur 6 persona në aksidente trafiku. “Gjatë nëntë muajve të kaluar të këtij viti, gjithsej 440 aksidente trafiku janë regjistruar në rajonin e gjerë të Tetovës, ose 140 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 6 prej këtyre aksidenteve, 6 persona e kanë humbur jetën, 30 aksidente kanë përfunduar me 35 persona të lënduar rëndë dhe 188 aksidente me 412 persona të cilët kanë marrë vetëm lëndime trupore. Numri më i madh i aksidenteve, edhe atë 216, kanë kaluar vetëm me dëme materiale”, thotë për gazetën Koha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Si zakonisht, më të rrezikuar janë këmbësorët ,kurse pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin në rrugët e vendbanimeve, bëjnë të ditur të dhënat e policisë së Tetovës. “Shumica e aksidenteve, 325 kanë ndodhur në vendbanime dhe 116 në rrugë të hapur. Ndërsa në të shumtën e rasteve në mesin e të lënduarve, 242 kanë qenë pasagjerë, në 31 aksidente pjesëmarrës ishin këmbësorë dhe 33 aksidente janë shkaktuan nga kafshët, kryesisht qen endacak”, theksoi zëdhënësi i policisë së Tetovës, Fatmir Rexhepi.

Ndërkohë, bëhet e ditur se rrugët ku më shumë regjistrohen aksidente janë rrugët e qytetit të Tetovës, kurse si rrugë rajonale më e rrezikshme është ajo nga Tetova për në Jazhincë. “Shkaqet më të zakonshme të aksidenteve janë shpejtësia e pa përshtatshme, gjithsej 107 aksidente, dhe kryerja e veprimeve të parregullta ka qenë shkaktarë për 74 aksidente. Shumica e aksidenteve janë të regjistruara në rrugët e qytetit të Tetovës, respektivisht 211, në autostradë 87 dhe rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, gjithsej kanë ndodhur 89 aksidente trafiku”, njofton zëdhënësi Rexhepi.

Sipas të dhënave të policisë së Tetovës, gjatë vitit të kaluar, për nëntë muaj jetën në aksidente trafiku e kanë humbur 7 persona. Gjithsej 45 persona gjatë nëntë muajve të 2019 kishin marrë lëndime të rënda trupore, kurse 433 me lëndime të lehta trupore. Deri tek ulja e numrit të aksidenteve në këtë vit ka ndikuar edhe ora policore në muajin prill, kur dukshëm shënoi rënie frekuentimi i automjeteve në rrugët e Pollogut. Kjo ndikoi edhe në uljen e numrit të aksidenteve të trafikut, por më pas, pas heqjes së orës policore, aksidentet e trafikut sërish filluan të regjistrohen pothuajse çdo ditë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat