Mbi 30 zjarre gjatë orës policore në Tetovë

Tetova

Mbi 30 zjarre gjatë orës policore në Tetovë

Më: 24 prill 2021 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

Nga Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovës theksojnë se vetëm gjatë orës policore ka patur mbi 30 intervenime në zjarre të shkaktuara

Tetovë, 24 prill – Vjedhje nëpër lokale, lëvizje nëpër grupe të të rinjve, dëmtim të pronës publike si dhe ndezje të zjarreve. Kjo është pasqyra e Tetovës dhe rrethinës gjatë orës policore. Nga ana tjetër, policia ende nuk ka identifikuar autorët e vjedhjeve të tre lokaleve në qendër të Tetovës. Së fundmi, krahas zjarreve dhe vjedhjeve të lokaleve, po ashtu është dëmtuar edhe prona publike, respektivisht shkatërrimi i rrethojës së Gjimnazit “7 Marsi” së bashku me ndriçimin. Kjo ka ndodhur gjatë orës policore kurse autoritetet policore në Tetovë theksojnë se punohet në zbardhjen e rastit, por pa dhënë detaje se ka ose jo të dyshuar. “Është denoncuar një demolim në oborrin e Shkollës së mesme ‘7 Marsi’, ku ishin dëmtuar pjesê të zbukurimeve dhe ndriçimi. Është duke u zbardhur ky rast, pjesëtarët e policisë janë në teren dhe punohet në kapjen e autorëve”, thotë Fatmir Rexhepi,zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Lidhur me zjarret e shkaktuara, nga Policia e Tetovës pohojnë se janë arrestuar disa persona, kurse ndaj njërit prej tyre është iniciuar edhe padi penale. “Gjatë orës policore patëm disa dukuri si shkaktim i zjarreve në rrugë me anë të djegieve të gomave apo kontejnerëve për mbeturina. Lidhur me këto raste, policia e Tetovës ka arrestuar disa persona dhe ndaj njërit prej tyre ka iniciuar padi penale deri në Prokurorinë themelore të Tetovës”, thotë Rexhepi.

Nga Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovës theksojnë se vetëm gjatë orës policore ka patur mbi 30 intervenime në zjarre të shkaktuara nga të rinjtë me djegie të gomave, kontejnerëve dhe druve të ndryshëm në qytet dhe fshatra. “Gjatë kohës së orës policore neve kemi patur mbi 30 raste të përhapjes së zjarreve në qytet dhe fshatra. Bëhet fjalë për zjarre të qëllimshme. Është një dukuri e shëmtuar që shkaktohet nga të rinjtë, ku krahas djegies së gomave dhe druve në mes të rrugës, po ashtu digjen edhe kontejnerë të mbeturinave. Me këtë ata rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, sidomos të mirat materiale sepse aty parkohen vetura dhe ka objekte banimi në afërsi” thotë Uka Aliti,udhëheqës i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.

Edhe pse këto dukuri janë duke ndodhur në Tetovë dhe rrethinë, megjithatë deri më tani policia raporton për raste të rralla kur janë shoqëruar në polici ata persona që nuk kanë respektuar orën policore. Në ndërkohë, vazhdon avazi i vjetër në rajonin e Tetovës gjegjësisht nga lagjja Drenovec e deri në dalje të fshatit Xhepçisht ku shumë të rinj lëvizin përgjatë rrugës në orë policore. Këta të rinj qëndrojnë në grumbuj dhe pa maska, duke thyer ligjin që në vende publike nuk guxohet të qëndrohet pa maska mbrojtëse dhe dalin në rrugë kur është në fuqi ora policore. Edhe pse herë pas here policia patrullon, megjithatë kjo dukuri vazhdon të jetë prezent në këto vendbanime gjatë tërë kohës sa është në fuqi ora policore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat