Për 9 muaj, 9 viktima nëpër rrugët e Pollogut

Tetova

Për 9 muaj, 9 viktima nëpër rrugët e Pollogut

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Kohëve të fundit rrugët e rajonit të Pollogut janë shndërruar në arenë të aksidenteve. Por, më e keqja është se këto aksidente kanë viktima. Pothuajse brenda shtatë ditëve të fundit jetën e kanë humbur tre persona në aksidente trafiku në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar. Bilanci i viktimave për nëntë muaj është 9 viktima në aksidente trafiku këtë vit, njoftojnë nga Policia e Tetovës.

“Duke pasur parasysh se këto aksidente kanë qenë fatale, shkaktarë është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet në rrugë, Sektori për Punë të Brendëshme në Tetovë realizon çdo ditë aksione kontrolluese të shpejtësisë. Këta aksione janë intensifikuar kohëve të fundit me anë të radarit, ku çdo ditë shqiptohet qindra dënime, të cilët shkelin rregullat e komunikacionit”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Nga policia e Tetovës theksojnë rëndësinë që drejtuesit e automjeteve mos të marrin pjesë në komunikacion nëse nuk e kanë në rregull veturën, të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të mos bëjnë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri në trafikun rrugor.

“Po ashtu si shkak tjetër është veprimi i palejuar sipas kushteve në rrugë, tejkalimet e parregullta, prandaj apelojmë deri tek qytetarët, vozitësit e automjeteve dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion të respektojnë rregullat dhe dispozitat me qëllim që të kontribuojnë të gjithë në zvogëlimin e viktimave dhe aksidenteve të trafikut, sepse sipas të dhënave jetën e humbin në rrugët e Maqedonisë së Veriut aq viktima sa edhe në luftë. Shpresojmë se qytetarët do të respektojnë rregullat dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre, të bashkudhëtarëve dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, nënvizoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendëshme në Tetovë. Nga policia e Tetovës mes tjerash pohojnë se viteve të fundit ka trend të uljes së viktimave në aksidente trafiku.

“Në tre vitet e fundit, në rajonin më të gjerë të Pollogut të cilin e mbulon Sektori për Punë të brendshme në Tetovë vërehet një trend i uljes së aksidenteve të komunikacionit me pasoja më të rënda, gjegjësisht me të vdekur që kanë pësuar nga këto aksidente, kjo edhe më shumë na inkurajon që të vazhdojmë me aktivitetet dhe kontrollet e planifikuara parandaluese”, sqarojnë nga policia e Tetovës. Në ndërkohë, shpejtësia vazhdon që të jetë një faktor vendimtar për numrin e lartë të aksidenteve në rajonin e Pollogut, thekson zëdhënësi Rexhepi. Vitin e kaluar në tërë rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjithsej jetën e kanë humbur 13 persona në aksidente trafiku. Nga ana tjetër, autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar, vijon që të jetë e rrezikshme për vozitësit.

“Numri më i madh i aksidenteve të komunikacionit me pasoja më të rënda, me viktima dhe të lënduar më rëndë kanë ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar dhe në rrugët tjera rajonale si në rrugën Tetovë-Jazhincë, Tetovë-Vollkovijnë, dhe Tetovë Pirok. Më shumë aksidente sërish si numër janë regjistruar në rrugët e Tetovë dhe Gostivarit kryesisht këto aksidente në këto rrugë kanë qenë aksidente me pasoja më të lehta”, theksojnë nga policia e Tetovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat