Të rinjtë në Tetovë i refuzojnë vaksinat

Tetova

Të rinjtë në Tetovë i refuzojnë vaksinat

Më: 6 janar 2022 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Në muajin maj të vitit të kaluar filloi edhe procesi i vaksinimit në Tetovë. Fillimisht, në pikën e vaksinimit në Tetovë kishte fluks të madh të atyre që vaksinoheshin, shpeshherë duke u krijuar edhe tollovi dhe zënka si dhe mosmarrëveshje.

Por, ky interesim me kalimin e kohës filloi të bie. Kur autoritetet kishin paralajmëruar se pa marrjen e vaksinës do të vështirësohet qasja nëpër institucione, nëpër lokale e qendra tregtare, atëherë sërish filloi të shtohet interesimi për marrjen e vaksinës. Mjekët thonë se në fillim të këtij procesi ka pasur edhe vështirësi.

“Në fillim kemi patur disa vështirësi tek pika rajonale e vaksinimit dhe lirisht mund të themi se brenda vitit 2021 kemi vaksinuar rreth 140 mijë qytetarë të Tetovës, me të tre dozat. Tash është sjellë vendim që të gjithë pacientët që janë vaksinuar me dozë të dytë, me Fajzer, Sputnik dhe Astra Zeneka, procesi i rivaksnimit është pas tre muajve, kurse ditëve të fundit është shtuar numri i personave që vaksinohen me dozën e tretë dhe vaksinimi bëhet vetëm me vaksinën Fajzer”, deklaroi Besnik Mustafai, mjek.

Në ndërkohë, në këtë rajon vazhdon të mbetet e vogël përqindja e vaksinimit tek personat e moshës më të re. Kjo moshë ende vazhdon të rezistojë dhe të neglizhojë apelet për vaksinim dhe është një përqindje shumë e vogël që ka marrë vaksinën në moshë të re. Mjekët theksojnë se teoritë e ndryshme konspirative e kanë bërë të veten dhe qytetarët, sidomos moshat e reja, kanë shumë paragjykime në këtë drejtim. Prandaj, në rajonin e Tetovës kjo moshë ende nuk është e bindur se mbrojtja më e mirë nga Covid-i është vaksinimi. “Për fat të keq, interesimi tek grupmoshat e reja nuk është në nivel, nuk jemi të kënaqur dhe periudhën e fundit ka një intensitet shumë të zvogëluar dhe ulje të madhe të interesimit për vaksinim me dozë të parë”, tha Mustafai.

Mjekët nga ana tjetër apelojnë që të vazhdohet me respektimin e masave anti covid dhe imunizim të popullatës. Në shumë objekte tregtare, në hyrje kërkohet certifikata e vaksinimit ndërsa mjekët konsiderojnë se na pret një periudhë e vështirë, sidomos pas festave të fundvitit ku nuk përjashtohet mundësia e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus. Për shkak të interesimit të vogël të vaksinimit tashmë në Tetovë funksionon vetëm një pikë e vaksinimit, edhe atë në Shtëpinë e Shëndetit të Tetovës, kurse të gjitha pikat tjera janë mbyllur që në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat