Maqedoni, ndihma prej 16 eurosh, e papërfillshme përballë rritjes së çmimeve

Tetova

Maqedoni, ndihma prej 16 eurosh, e papërfillshme përballë rritjes së çmimeve

Më: 20 mars 2022 Në ora: 20:51
Ilustrim

Pensionistët dhe personat me status të rrezikuar social në Maqedoninë e Veriut, që marrin ndihmë nga shteti, thonë se 1 mijë denarë (16 euro) që shteti u ka ndarë si ndihmë shtesë, janë të pamjaftueshme për të përballuar valën e rritjes së çmimeve.

Qeveria maqedonase ka ndarë këtë ndihmë shtesë për këtë kategori shoqërore për muajt mars, prill dhe maj.

Nikolla Georgievski, pensionist, i cili jeton i vetëm me një pension prej 11 mijë denarësh (178 euro), thotë se për të është blerja e produkteve ushqimore është bërë e papërballueshme pas shtrenjtimit të çmimeve.

“Është shumë e vështirë pasi produktet ushqimore, gjithçka që sheh, është shtrenjtuar. Mos të flasim për rritjen e faturave. Çfarë të bëjë me 1 mijë denarë më përpara, të blej ushqim që ta mbaj gjallë veten apo të paguaj faturat që janë shtrenjtuar? Nga pensioni prej 11 mijë denarëve, më shumë se një e treta shkon për fatura, po aq duhet të ndaj për ilaçe pasi vuaj nga shumë sëmundje. Kështu që, më pak se 4 mijë denarë [65 euro] mbeten për ushqim”, thotë ai.

Ndërkaq, Naser Fetahi, i cili jeton me ndihmë sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se me të ardhurat që merr nuk mund të sigurojë rezerva ushqimore për një muaj.

“Janë rritur shumë çmimet, gjithçka është më shtrenjtë. Mund të sigurojmë rezerva me çmime më të ulëta. Nëse më angazhon dikush [për punë], blej diçka atë ditë për shtëpi”, thotë Fetahi.

Për shkak të rritjes së çmimeve pas krizës botërore për shkak të konfliktit në Ukrainë, në Maqedoninë e Veriut që nga 17 marsit është hequr Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për produktet bazë ushqimore, masë që është pjesë e pakos kundër krizës në vlerë prej 400 milionë eurosh, që është miratuar në Kuvendin maqedonas.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Terençevska, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i ekzekutivit është që të ndihmohet kategoria e shoqërisë, që preket më së shumti nga kriza e rritjes së çmimeve.

“Ndoshta kjo shumë nuk është e mjaftueshme, mirëpo qëllimi i Qeverisë është që në periudhën e krizës me COVID-19, në periudhën e krizës ekonomike, të mbulojë një numër sa më të lartë qytetarësh. Në atë drejtim janë edhe masat që kanë të bëjnë edhe me pranuesit e ndihmave të garantuara minimale, të masave për mbështetje financiare që merren edhe për pensionistët dhe të gjitha masat nga Paketa – që janë 26 masa – me të cilat duam të prekim edhe qytetarët, edhe kompanitë që t’iu mundësojmë qytetarëve që më lehtë ta përballojnë krizën ekonomike. Ndërkaq, edhe kompanive mëtojmë t’iu ndihmojmë në lidhje me likuiditetin e tyre”, thekson Terençevska.

Por, ekspertët e ekonomisë theksojnë se për kategorinë e rrezikuar sociale më e rëndësishmja është të sigurohet burime të qëndrueshme për këto familje, pasi ndihmat paraqesin një sanim të përkohshëm të situatës dhe jo zgjidhje.

“Ky 1 mijë denarëshi që Qeveria e ka ndërmarrë si parim për të ndihmuar këtë kategori të njerëzve, patjetër është për t’u përshëndetur dhe nuk mund ta llogarisim si masë përmes së cilës tentohet të ruhet revolta e qytetarëve nga rritja e çmimeve. Pasi, ai 1 mijë denarësh nuk është se do t’iu hyjë shumë në punë njerëzve që janë me të ardhura të ulëta, por gjithsesi se kjo shumë për pensionistët ka vlerë të shtuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arben Halili, ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Tetovës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i atyre që marrin ndihmë sociale që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit më 2020 është rritur nga 27 mijë në mbi 36 mijë familje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat