Inspektorët përballen me shumë probleme në Tetovë

Tetova

Inspektorët përballen me shumë probleme në Tetovë

Më: 25 mars 2022 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Qyteti i Tetovës përballet me uzurpimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje, hedhja e mbeturinave ndërtimore në hapësira publike, vendosja e panove në trotuare, shitës ambulant dhe shumë probleme tjera të kësaj natyre. Këta probleme që janë shtresuar vite me radhë në këtë qytet kurse inspektorët komunal sot janë përballur me shumë pyetje lidhur me punën e tyre nga ana e këshilltarëve komunal. Sipas kreut të inspektoriatit komunal, edhe krahas shumë vështirësive në terren kontrollet nuk kanë munguar. Por është evidente edhe mungesa e inspektorëve, kurse në disa sektorë nuk ka aspak inspektorë, siç është sektori i rrugëve. Me të gjitha këta probleme në Tetovë merren gjithsej 16 inspektorë komunal.

“Në krahasim me vitet e kaluara, rreth 80 për qind e shitësve ambulant janë larguar nga rrugët, por ka problem sepse disa prej tyre kthehen sërish. Nuk ka selektim, largohen të gjithë. Shitësit e duhanit mbajnë një tavolinë të vogël dhe kur kalojnë inspektorët ata i largojnë, pastaj rikthehen. Por, ne jemi aty dhe në të ardhmen nuk do të jenë as ata më në atë vend. Ne vazhdojmë që të lirojmë trotuaret që të jenë të kalueshëm për qytetarët. Ne kemi mungesë të inspektorëve, vetëm në sferën e arsimit dhe tek ambient jetësor jemi të mbuluar mirë. Disa sfera tjera nuk janë të mbuluara mirë, kurse për angazhimin e tyre apo aftësimin e inspektorëve nevojitet një kohë prej 12 muajve që ai të del në teren”, tha Abdulgani Alili.

Shumica e këshilltareve komunal kanë parashtruar pyetje se lëshimet e konstatuara nga ana e inspektorëve në teren marrin epilog gjyqësor. Përgjigjja e inspektorëve ishte se shumë pak prej këtyre lëndëve kanë epilog në organet e drejtësisë. Problem në vete sipas inspektorëve është se shpesh herë edhe shitësit nëpër trotuare arsyetohen se përmes shitjes në hapësira publike sigurojnë mbijetesën. Poashtu, në këtë seancë është hapur edhe problem me mbeturinat që hedhin marketet e mëdha.

Sipas këshilltarëve, nuk duhet të tolerohet askush në këtë drejtim. Poashtu, nga Inspektoriati komunal është nënvizuar se në të kaluarën kanë patur mungesë edhe të veturave për të dalë në teren, kurse tashmë kanë në dispozicion dy vetura. Është bërë e ditur se inspektoriati komunal ka dërguar shkresë deri tek kabineti i kryetarit të komunës që të vendoset në funksion linja telefonike për të denoncuar ndotësit e ambientit jetësor dhe parregullsive tjera në sferën e ambientit jetësor. Për mos funksionimin e kësaj linje është pyetur edhe kryetari i komunës Bilall Kasami, i cili tha se do të merr masa që e njëjta të jetë në shërbim të qytetarëve, por pa dhënë afat të saktë. (koha.mk)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat