Zjarrfikësit tetovarë largojnë gjarpërin nga një banesë në katin e pestë

Tetova

Zjarrfikësit tetovarë largojnë gjarpërin nga një banesë në katin e pestë

Më: 25 maj 2022 Në ora: 20:11

Zjarrfikësit e Tetovës kanë intervenuar menjëherë pas thirrjes së një banoreje të një pallati në rrugën “Borçe Koçovski” në Tetovë, duke kapur një gjarpër që kishte hyrë në banesën e denoncueses në katin e pestë.

Ndërhyrja rezultoi e suksesshme, gjarpri u kap me shpejtësi dhe u largua në mënyrë të sigurtë nga banesa.

“Thirrja në qendrën e zjarrfikësve ka ardhur rreth orës 18:30. Një grua e cila ishte shumë e frikësuar telefonoi dhe na thirri që të vinim menjëherë. Kemi një shufër të përshtatshme, një shkop me të cilin i kapim gjarpërinjtë. Kështu ne kemi arritur ta nxjerrim gjarprin nga banesa dhe ta dërgojmë në një institucion të përshtatshëm”, tha Uka Aliti, komandant i njësitit të zjarrfikësve për territorin e qytetit të Tetovës.

Kjo nuk është ndërhyrja e tyre e parë e tillë e pazakontë.

Vetëm gjatë këtij viti zjarrfikësit tetovarë kanë ndërhyrë shtatë herë për largimin e gjarpërinjve nga objekte të ndryshme.

“Deri më tani i kemi nxjerrë gjarpërinjtë nga automjetet apo oborret, por është hera e parë që kemi larguar një gjarpër që ka hyrë në një banesë në Tetovë, madje në katin e pestë. Gjarpërinjtë më së shumti hyjnë në oborre kur është ngrohtë dhe në makina kur njerëzit dalin në natyrë. Në raste të tilla na kërkojnë gjithmonë, sepse kemi pajisjet e duhura për ndërhyrje të tilla”, sqaron Aliti.

Ai apelon qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bëjnë asgjë për largimin e gjarpërinjve, por të thërrasin zjarrfikësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat