Bilall Kasami: Zjarri është lokalizuar, punojmë për shuarjen e plotë të tij

Tetova

Bilall Kasami: Zjarri është lokalizuar, punojmë për shuarjen e plotë të tij

Më: 30 maj 2022 Në ora: 15:15
Bilall Kasami

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka njoftuar se është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit të sotëm, i cili shpërtheu një një fabrikë në Tetovë.

Kasami theksoi se situata me zjarrin është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Pas reshjeve të shiut që shkaktuan vërshime në disa vende, sot ndodhi edhe ky zjarr i përmasave të mëdha. Bëhet fjalë për një fabrikë që përpunon materiale me bazë të derivateve të naftës, të cilat janë materie me djegie të nivelit të lartë. Që kur morëm informatat e para intervenuam me njësitë kundër zjarrit”.

“Edhe pse zjarri është aktiv, nuk ka rrezik për përhapjen e tij. Falënderoj të gjithë ata që ndihmuan për lokalizimin e zjarrit, sidomos zjarrfikësit e Tetovës, të cilët kanë qenë në krye të Tetovës”, tha mes tjerash Kasami.

Ai njoftoi se ka pasur ndihma nga zjarrfikësit e Gostivarit dhe Kumanovës.

“Ka pasur gatishmëri për ndihmë edhe nga zjarrfikësit e Strumicës dhe Kavadarit, por u dakorduam që nuk ka nevojë. Kam qenë në kontakt me kryeministrin. Është situatë të cilën besoj se kemi arritur ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kasami.

Ai shtoi se do të bëhen vlerësime dhe më pas do të dalin me informacione rreth shkaktarëve të zjarrit.

Kasami gjithashtu njoftoi se nxënësit nesër duhet të kthehen në shkollë, pasi siç tha, kanë marrë informacione se ajri nuk është aq i ndotur saqë të jetë rrezik për shëndetin e nxënësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat