Nuk do të shtrenjtohet çmimi i biletave të autobusëve në Tetovë

Tetova

Nuk do të shtrenjtohet çmimi i biletave të autobusëve në Tetovë

Më: 3 qershor 2022 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Tashmë një javë ka rifilluar transporti publik në Tetovë. Shoferët e autobusëve thonë se problem paraqesin veturat e parkuara vend e pa vend përgjatë bulevardeve. Zuko Salija, një vozitës i autobusit në Tetovë apelon që qytetarët të mos parkohen në stacionet ku ndalojnë autobusët.

“Parkohen vetura në vendet e caktuara për stacion ku duhet që të ndalojmë, pastaj kemi edhe kaos në komunikacion gjithmonë hasim në probleme. Parkohen vend e pa vend, duhet që të merren masa që mos na pengojnë pasi që punojmë me orare të caktuara, sidomos studentët që duhet të arrijnë në universitete. Kemi probleme më shumë tek rrethrrotullimet. Gjithmonë qytetarët tentojnë të mos na japin përparësi, dhe kjo shkakton probleme. Apeloj që të na japin më shumë përparësi”, thotë Zuko Salija, shofer.

Me rritjen drastike të çmimeve të derivateve të naftës, pritet që edhe më shumë të shfrytëzohet transporti publik në Tetovë. Nga Ndërmarrja Tetova Transport, thonë se janë të kënaqur me interesimin e qytetarëve që shfrytëzojnë transportin publik. Prej atje thonë se ka edhe lirime për kategori të ndryshme.

“Jemi të kënaqur me interesimin e qytetarëve. Gjatë javës ka qenë pa pagesë dhe pastaj do të fillojë me pagesë. Edhe pse çmimet e naftës janë të larta, ne çmimet nuk do t`I ndryshojmë sepse nuk duam që t`I ngarkojmë qytetarët në këtë kohë shumë të rëndë ekonomike. Kemi bërë një plan dhe shpresojmë që edhe ndërmarrja mos ketë shumë humbje por edhe mos dëmtohet xhepi i qytetarëve”, tha Rafiz Medija, drejtor i Ndërmarrjes Tetova-Transport.

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, thotë se ka patur takim me drejtues të policisë në Tetovë, me të cilët kanë rënë dakord që policia të punojë në drejtim të asaj që mundësojë qarkullim të lirë të autobusëve.

“Për momentin informatat nga drejtoria janë se transporti publik në Tetovë rrjedh normalisht dhe nuk ka probleme dhe zhvillohet në kuadër të normalitetit. Unë ndërkohë, kam pasur takim me përfaqësues të policisë së Tetovës për të liruar stacionet e autobusëve, bulevardet dhe rrugët ku qarkullojnë autobusët. Besoj që do të kemi mirëkuptimin e tyre që të mos kemi probleme shtesë që do të krijojnë autobusët në qarkullimin urban dhe ata të jenë një lehtësim për kaosin në komunikacion”, potencoi Kasami.

Ai mes tjerash ka thënë se në njërën nga mbledhjet e radhës do të ofrojë deri tek kryetarët e komunave rurale që të organizohet edhe transport ndërurban dhe nëse komunat shfaqin interesim mund të arrihet marrëveshje. Momentalisht transporti urban është aktiv vetëm në territorin e komunës së Tetovës.

“Sa i përket çështjes së bashkëpunimit me komunat tjera rurale sigurisht varet nga vullneti i komunave tjera që ndërmarrja për transport të bëjë transportin e udhëtarëve edhe në komunat tjera. Sigurisht në mbledhjet e radhës do ta shtrojmë këtë çështje, por për momentin ne nuk mund të bëjmë veprimtari të transportit të udhëtarëve në komunat tjera pa pasur një marrëveshje. Do ta ofrojmë këtë mundësi tek komunat tjera që autobusët e transportit urban të Tetovës të kryejnë shërbime edhe në komunat tjera”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Nga dita e hënën, më 6 qershor, Transporti Publik do të jetë me pagesë, pasi që kësaj jave që po lëmë pas shfrytëzimi i transportit publik ka qenë gratis. Përveç kioskave, qytetarët biletat mund t’i marrin edhe në autobus. Një biletë kushton 20 denarë, ndërsa shumë kategori kanë lirime ose janë të liruar nga pagesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat