Ia theu dhëmbët, hundën dhe lëndime të rënda në trup, 28 vjeçari rrahë teknikun medicinal në Tetovë

Tetova

Ia theu dhëmbët, hundën dhe lëndime të rënda në trup, 28 vjeçari rrahë teknikun medicinal në Tetovë

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 15:47
Spitali i Tetoves

Rrihet brutalisht tekniku medicinal i ndihmës së shpejtë në Tetovë.

Rasti ka ndodhur dje në orën tre të mëngjesit, kur në urgjencë është paraqitur një djalë me të ëmën e tij, e cila ka qenë në gjendje të alkoolizuar.

Dhe pasi është informuar nga tekniku medicinal se zonja në këtë gjendje duhet të dërgohet në repartin internistik, personi M.G. 28 vjeç nga Tetova, ka filluar ta godasë me grushte dhe shqelma, duke e lënë me dhëmbë të thyer, hundë të thyer dhe lëndime të rënda në ekstremitete.

Pas kësaj, tekniku Xhelal Nuhiu, është shtrirë në repartin e kujdesit intenziv.

“Një person solli prindin e vet në gjendje të alkoolizuar dhe më pyeti ku duhet ta dërgoj. Ia shpjeguam bashkë me motrën madje ndodheshim para ndihmës së shpejtë, i kemi thënë që ta dërgoj në repartin internistik, dhe pa një pa dy mu vërsul duke më sulmuar dhe e kam humb vetëdijen dhe më tutje nuk di se çka ka ndodhur. Kam lëndime të rënda po. Personalisht as e kam njohur as kam pasur ndonjë mosmarrëveshje me personin në fjalë, as unë se di si ndodhi. Absolutisht nuk patëm asnjë konflikt verbal. Kam lëndime maksilofaciale, dhëmbë kam të thyera, hundën kam të thyer, gjurin poshtë e kam të thyer”, tha Xhelal Nuhiu, Teknik në ndihmën e shpejtë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, nga ku pohojnë se, personi në fjalë është arrestuar, ndërsa në polici, është lajmëruar edhe e ëma e tij e cila ka qenë dëshmitare e rastit.

“Dje rreth orës tre të mëngjesit kanë privuar nga liria 28 vjeçarin M.G., nga Tetova i cili paraprakisht kishte denoncim që në spitalin klinik të Tetovës në Ndihmën e Shpejtë, kishte sulmuar dy mjekë të spitalit. Merren masa për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe nga ana jonë do të inicohet parashtresë përkatëse deri në prokurorinë themelore për zbardhjen e plotë të këtij rasti”, u shpreh Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i Policisë së Tetovës.

Raste të rrahjeve brutale të mjekëve në spitalin e Tetovës ka pothuajse çdo vit, por edhe përkundër apeleve të shumta, por edhe reagimeve të Shoqatës së mjekëve, rastet si ky po përsëriten gjithnjë e më shumë.

Rasti i fundit ishte ai i rrahjes së mjekut në repartin e sëmundjeve të lëkurës, i cili, njëjtë sikurse Nuhiu, nga mjek përfundoi si pacient i shtrirë në spital.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat