Shoqata “Tradita” organizoi tribunë shkencore për rolin e monumenteve historike në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Tetovës

Tetova

Shoqata “Tradita” organizoi tribunë shkencore për rolin e monumenteve historike në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Tetovës

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 07:15
Ilustrim

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, më 14 tetor 2017, në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë, organizoi Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Tetovës”. Tribuna shkencore kishte për qëllim të shpalosë ide atraktive, nxjerrjen e konkluzioneve dhe përcjelljen e mesazheve deri te institucionet kompetente, që të mos i harrojnë monumentet kulturore, këto pasuri të çmuara kombëtare. Tribunën shkencore e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili theksoi se njëra nga objektivat kryesore të shoqatës sonë është zhvillimi i debatit të lirë, studimi shkencor, promovimi  dhe respekti ndaj vlerave kulturore dhe artistike në qytetin ku veprojnë si subjekt kulturor.

“Para një vizitori, profili  i Tetovës paraqitet  përmes monumenteve historike dhe vlerave  etnokulturore që posedon ky qytet. Në kushtet kur ne pretendojmë zhvillimin e turizmit në qytetin tonë, besojmë se përtej dukurive të ndryshme shoqërore dhe ekonomike që ndikojnë në zhvillimin e këtij sektori, vlerësojmë se monumentet historike luajnë rol tejet të rëndësishëm. Monumentet historike, si: Kompleksi Harabati Baba Teqe, Galeria e Arteve, Sahat Kulla, Kalaja e Tetovës,  Xhamia e Pashës, Urat e vjetra, Muzeu historik i Universitetit të Tetovës dhe monumente të tjera të kulturës, historisë dhe artit, duhet të promovohen për publikun shqiptar dhe vizitorët e huaj. Këtë e theksojmë, sepse, përmes këtyre monumenteve, madhështisë së arkitekturës, afreskeve, punimeve të gurit e të drurit, si dhe historisë që ato mbartin, shihet edhe mundësia e njohjes së kulturës së begatshme të kombit tonë. Trashëgimia kulturore e një populli paraqet edhe kontributin e saj në thesarin e kulturës së përgjithshme, apo qytetërimin botëror”, tha ndër të tjera Selam Sulejmani.

Ai, po ashtu u shpreh se për të zhvilluar një turizëm të mirëfilltë kulturor në lokalitetet e lartpërmendura, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin hapa konkretë në krijimin e kushteve në përforcimin e sektorëve kulturorë – turistikë dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sipas tij, investimi dhe promovimi i monumenteve historike nuk i shërben vetëm rritjes së industrisë turistike në vendin tonë, por para botës së qytetëruar i shpalos  vlerat e mirëfillta kombëtare, e konfirmon lashtësinë dhe autoktoninë  e kombit shqiptarë në këto treva.

Organizimin e kësaj tribune, me fjalë rasti e përshëndeti edhe drejtori i Agjencionit për zhvillimin e turizmit në rajonin e Pollogut, i cili e vlerësoi lartë mbajtjen këtij aktiviteti nga Shoqata “Tradita”. Ai, para të pranishmëve vuri në dukje përvojat dhe veprimtarinë e sektorit që e drejton, në funksion të sensibilizimit dhe zhvillimit të turizmit të qytetin e Tetovës.

Tribuna shkencore i vijoi punimet me prezantimin e punimeve të studiuesve, profesorëve nga Universiteti i Tetovës, Sektori për kulturë i Komunës së Tetovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, Gjimnazi i Tetovës dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve në  Maqedoni-Shkup.

 

Doc. Dr. Salajdin Salihu, profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, theksoi  se  një popull që nuk tregon respekt ndaj të kaluarës së vet nuk e meriton as të ardhmen. “Mendoj se kjo tribunë e ka këtë karakter, që tregojmë një respekt ndaj të kaluarës sonë, e cila është jashtëzakonisht e pasur dhe është përplot me shënime të harruar që ne duhet t’i gjurmojmë. Nga kërkimet e mia të përhershme, veçmas nga pjesa e Pollogut, d.m.th. duke filluar jo vetëm nga periudhat e më vonshme, por edhe ato të mëhershmet, rezulton që edhe përkundër që thuhet nuk ka shënime, nuk ka dëshmi, rezulton se ka shumë të tilla, vetëm se duhet të gjurmohen. Nga ajo që unë kamë hasur, ka pafundësisht dëshmi se Tetova paraprakisht nuk ka qenë Tetovë, e njohur si Pollogu, por përgjithësisht ka qenë një ndër qendrat më të rëndësishme dhe këto dëshmi ne i gjejmë në shumë dokumente. Unë mendoj se Tetova ka kapacitete të jashtëzakonshme sa i takon turizmit kulturor, pasi ka monumente të periudhave të ndryshme, duke filluar nga gjetjet që janë bërë që nga periudha e antikitetit, ka shumë mbishkrime që un do t’i jap në vazhdim, kemi shumë kala që më tepër nuk kanë qenë kala, por fortifikata në shumë dokumente që janë të panjohura fatkeqësisht për shqiptarët, që ne në popull i njohim si kala, por në fakt kanë qenë fortifikata më tepër se sa kala”, tha Selajdin Saliu.

Prof. Dr. Nebi Dervishi, profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, para pjesëmarrësve e prezantoi studimin ,,Vështrim mbi Kalanë “Hisar” të Tetovës ndër shekuj. “Kalaja e Tetovës, gjithnjë duke iu referuar të dhënave, ka filluar të ndërtohet që nga viti 1795 dhe ka përfunduar diku në vitin 1843, gjatë periudhës kur Pashallëku i Tetovës e përjetoi një ngritje të fuqishme, së bashku me dy pashallëqet tjera, të Shkupit e të Qystendillit, të cilet qeveriseshin në ato kohëra nga vëllezërit tetovarë, Hivzi Pasha, Hysen Pasha dhe Abdurrahman Pasha, djemtë e Rexhep Pashës së famshëm te Tetovës, i cili e filloi ndërtimin e kësaj kalaje dhe më vonë e përfundoi djali i tij Abdurrahman Pasha”, bëri të ditur profesori i historisë Nebi Dervishi. Përpos prezantimit të hollësishëm të historikut të Kalasë së Tetovës, Prof. Dr. Nebi Dervishi, i denoncoi edhe keqpërdorimet me motive politike rreth këtij monumenti historik, motive të kamufluara nën petkun fetar. Ai theksoi se, si në të gjitha viset e pushtuara nga sllavët, sidomos ata serbë, janë munduar që përmes elementit fetar t’i arsyetojnë qëllimet politike dhe pushtimet e tyre, siç është rast edhe me ndërtimin e Kishës sllave ortodokse në Kalanë e Tetovës.

Profesori i Gjimnazit të Tetovës, Xhelal Zejneli, në këtë tribunë mori pjesë me studimin shkencor për rëndësinë kulturore të Teqesë Harabati Baba, që është një monument – ndërtesë e posaçme, në të cilën kanë jetuar dhe jetojnë dervishët e sektit bektashian nën drejtimin e një babai. Në të janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen ceremonitë fetare të bektashinjve.

“Krahas përhapjes së bektashizmit në Shqipëri, ngritën mjaft teqe, si në Krujë, në Gjirokastër, në Rrafshin e Dukagjinit, në krahinën e Dibrës etj. Evlija Çelebi ishte funksionar i lartë i oborrit të sulltanit, me detyrën nazir, d.m.th. inspektor. Jetoi në shekulli XVII. Shqipërinë, bashkë me Kosovën, e vizitoi dy herë – më 1662 dhe më 1670. Sipas tij, në Elbasan kishte 11 teqe; në Delvinë, në Gjirokastër, në Berat, në Vlorë nga tri teqe; në Kavajë e në Peqin nga dy teqe; në Përmet, në Roshnik të Beratit, në Kaninë të Vlorës, në Pogradec dhe në Starovë nga një teqe. Sipas tij, teqe kishte edhe në Kosovë: 20 teqe në Shkup, një në Vuçitërn, një në Kaçanik. Sipas Profesor Ali Vishkos, në Tetovë ka pasur 10 teqe. Teqe ka pasur edhe në Kumanovë. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, teqetë e bektashinjve, sidomos ato të Frashrit, Dibrës, Krujës, Elbasanit, të Rrafshit të Dukagjinit etj., u bënë strehë për forcat kryengritëse shqiptare dhe vatra për përhapjen e mësimit të shkrimit shqip.

Strehë e forcave kryengritëse shqiptare ishte edhe teqeja Harabati Baba e Tetovës. Ajo ishte njëherazi edhe vatër e rëndësishme e mësimit të shkrimit shqip”, theksoi profesor Xhelal Zejneli. Gjatë prezantimit të punimit të tij, ai foli edhe për fillimet e Teqesë Harabati-Baba e Tetovës që nisi të ndërtohet nga Sersem Ali Dede, më 1538 dhe përfundoi më 1548.

Sipas tij, ajo që u intereson më së shumti turistëve është historia e teqesë dhe arkitektura e saj. Teqeja Harabati-Baba përbëhet: nga faltorja, nga shtëpia ose konaku veror, nga selamllëku d.m.th dhoma e pritjes, nga qoshku veror, nga shatërvani i teqesë, nga shtëpia dimërore me objektet e tjera, siç janë: faltorja e vogël, mauzoleu, e cila është një godinë e mbuluar, me varret e udhërrëfyesve të teqesë, kuzhina e vogël, varri apo kabri i baba Mehmet Harabatit i rrethuar me shufra hekuri, restoranti, furra, hambarët, çezmat, varrezat e teqesë dhe kulla e rojeve e cila ndodhet mbi hyrjen kryesore.

Mr. Sc. Behixhudin Shehabi, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë, referoi për vlerat kulturore dhe historike të Xhamisë së Pashës në Tetovë dhe potencialin e saj të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Tetovës.

“Në Tetovë, qytetin rrëzë Sharrit, gjendet një nga objektet, si shenjë dalluese e Tetovës, por edhe një nga ndërtimet më të bukura në Maqedoni, Xhamia e Larme. Sipas hulumtuesve, kjo xhami daton nga viti 1495, ndërsa sipas disa të tjerëve kjo është e ndërtuar më 1564. Ky objekt madhështor njihet për dekorimet specifike të jashtme dhe të brendshme, që janë shprehje e të arriturave arkitekturore dhe mjeshtërisë së shkëlqyer të mjeshtëve nga Dibra, të cilët përveç se e kanë vizatuar nga brenda dhe nga jashtë këtë xhami – monument, njëkohësisht e kanë dekoruar edhe Teqenë Harabati Baba të dervishëve. Dekorimi i xhamisë, si art më vete, është shumë unik dhe mbresëlënës, i bërë në mënyrë piktoreske me ornamente florale dhe gjeometrike të panumërta dhe arabeska shkëlqyese’’, deklaroi Behixhudin Shehabi. Ai, mes tjerash apeloi që të jemi të vendosur në përpjekjet tona për të pasur një qasje të vërtetë ndaj trashëgimisë kulturore të cilën e posedojmë, duke kontribuar në mënyrë sistematike për promovimin turistik të vlerave monumentale që i posedon Tetova.  Për ndikimin dhe përdorimin e dixhitalizimit të trashëgimisë kulturore, referoi Mr. Sc. Agron Salihi – asistent hulumtues në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve në Maqedoni-Shkup.

Ai vlerësoi se me zhvillimin e teknologjisë digjitale, u bë një hap i madh i digjitalizimit të materialeve të ndryshme. “Me paraqitjen e internetit dhe përhapjen e tij, erdhi deri te masivizimi i përmbajtjeve digjitale. Përpara se të masivizohej ky proces i konvertimit të përmbajtjeve të ndryshme, ekzistonte një mënyrë tjetër e ruajtjes së materialeve në një format tjetër, nga të cilët ishin të krijuara, si në formë të fotografisë, incizimit audio, filmimit apo mikrofilmit. Me paraqitjen e mjeteve audio-vizuale, si: fotografia, filmi, teknikat audio-vizuale, njihen si kontribut në regjistrimin e të mirave kulturore. Fotografimi i objekteve, ngjarjeve, njerëzve etj. dhe me paraqitjen e filmit, si mënyrë e regjistrimit, me çka janë filmuar materiale të rëndësishme, ne sot mësojmë më shumë për ngjarjet që janë zhvilluar në të kaluarën. Dixhitalizimi paraqet hap të rëndësishëm që mundëson krijimin e përmbajtjeve digjitale, të cilat shndërrohen në informacione globale, në momentin që publikohen në internet portalet. Në këtë proces global, përveç përfitimeve duhen të merren parasysh edhe pasojat, qoftë të jenë ato ndaj trashëgimisë kulturore, apo ndaj autorëve që janë krijues të të mirave kulturore. Gjithsesi, gjatë kësaj duhet të merren parasysh vlerat morale”, theksoi Mr. Sc. Agron Salihi.

Në këtë veprimtari shkencore, studimet e tyre për Shtatoren e Mehemt Pashë Derallës, Urat e vjetra të Tetovës dhe Muzeun historik të Universitetit të Tetovës,  i prezantuan edhe profesorët dhe punonjësit tjerë shkencorë, si: Prof. Dr. Zeqirja idrizi, Dr. Sc. Hamdi Mediu dhe Mr. Sc. Ismet Jonuzi – Krosi. Tribuna shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Tetovës”, u moderua nga Rina Fazliu, studente ekselente e UT-së dhe realizimi i saj u mbështet nga Ministria e Ekonomisë e Republikës së Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat