Rrugët në Tetovë të stërngarkuara, mungon siguria - Bota Sot
Rrugët në Tetovë të stërngarkuara, mungon siguria

Tetova

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Rrugët në Tetovë të stërngarkuara, mungon siguria

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 10:30
Tetovë

Rruga Tetovë-Pirok dhe rruga Tetovë-Jazhincë tashmë vite me radhë janë kthyer në rrugë të tmerrshme për vozitësit. Pothuajse çdo ditë në këto rrugë regjionale regjistrohen aksidente. Arsyet më të shpeshta për numrin e madh të aksidenteve në këto rrugë janë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë, sidomos në muajt e verës,por edhe për shkak të dëmtimit të rrugës në shumë pjesë të sajë.

Si rezultat, në këto rrugë regjionale janë regjistruar shumë dalje nga rruga, të cilat jo rrallë herë janë shoqëruar edhe me rrokullisjen e automjeteve, ndeshje, por ka pasur raste kur kanë pësuar edhe këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët.

Përveç kësaj, aksidentet në këtë periudhë kohore kanë ndodhur edhe për shkak të veprimeve jo të ndërgjegjshme, gjegjësisht të pahijshme, si parakalimet jo të rregullta, mos mbajtja e distancës dhe të ngjashme.

“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, respektivisht Stacioni për siguri në trafik dhe rrugë, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, në rrugën regjionale Tetovë-Pirok ka regjistruar 10 aksidente trafiku, nga të cilat 1 aksident me 1 person me lëndime të rënda trupore, 7 aksidente trafiku me 10 persona me lëndime të lehta trupore, 2 aksidente trafiku vetëm me dëme materiale, kurse me viktima në njerëz nuk janë regjistruar aksidente trafiku”, theksoi zëdhënësi i Policisë në Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Kësisoj, rruga regjionale Tetovë-Pirok-Gostivarë është duke marrë haraçin. Kohëve të fundit, kjo rrugë është bërë e rrezikshme dhe fatale për vozitësit. Pika më kritike e kësaj rruge ku ndodhin më shumë aksidente është fshati Reçicë dhe Pallçishti, shkruan Koha. Banorët disa herë kanë kërkuar që të vendosen “policë të shtrirë” në rrugë me qëllim që të ngadalësohet shpejtësia e lëvizjes së automjeteve, por deri më tash autoritetet përgjegjëse nuk kanë dhënë leje për një gjë të tillë.

Kjo rrugë, e cila kalon përmes fshatrave të Tetovës dhe Komunës së Bogovinës, viteve të fundit është shndërruar në arenë aksidentesh, të cilët në shumë raste janë edhe të pazakonshme. Mure të thyera të shtëpive, shtylla elektrike të goditura, dëmtime të mureve të varrezave, shkelje të këmbësorëve, hyrje me veturë në dyqane, dëmtim të reklamave të pompës së benzinës… janë vetëm disa nga aksidentet që kanë ndodhur viteve të fundit në këtë rrugë. Në këtë rast, më shumë janë të rrezikuar banorët e fshatrave Reçicë e Madhe, Pallçisht, Kamjan, Siniçan, Bogovinë, Pirok, të cilët kanë shtëpitë e tyre përgjatë kësaj rruge. Rritja e aksidenteve është shënuar pikërisht pas asfaltimit të kësaj rruge me ç`rast është rritur edhe shpejtësia me të cilët vozitet në këtë rrugë.

Banorët nga ana tjetër theksojnë se ndjehen të pasigurt sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, pasi pjesa dërmuese e aksidenteve ndodhin gjatë natës.

“Kërkojmë që organet policore dhe pushtetet lokale të marrin masa që të krijojnë siguri në këtë rrugë, pasi bëhet fjalë për një gjatësi prej 2 kilometrave që përfshinë fshatin tonë”, thonë banorë të kësaj zone. Policia e Tetovës pranon se në disa akse rrugore që janë në kategorinë e rrugëve regjionale mungojnë shenjat që ndikon në sigurinë e përgjithshme në komunikacionin rrugor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test