Viti i Ri kinez ‘zbret’ në sheshin ‘Skënderbej’

Tirana

Viti i Ri kinez ‘zbret’ në sheshin ‘Skënderbej’

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 14:13
Viti i Ri kinez ‘zbret’ në sheshin ‘Skënderbej’

Tirana mirëpret për herë të parë Vitin e Ri kinez. Sheshi “Skënderbej” u pushtua mbrëmë nga dritat, personazhet karakteristike të kulturës e dhjetra qytetarë kinezë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, të cilët kishin dalë për të pritur Vitin e Ri, sipas traditës së tyre të vjetër. Festimeve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadori kinez në vendin tonë, Zhou Ding, e shumë qytetarë të Tiranës, të cilët kanë përjetuar surprizat dhe kulturën kineze të festimit të Vitit të Ri.

Kryebashkiaku Veliaj, i veshur me kostumet tradicionale kineze, uroi Vitin e Ri dhe vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kinës. “Kam një përshëndetje të veçantë për 300 qytetarët kinezë që jetojnë në Tiranë. Tirana sot është një qytet me mbi 100 kombësi, një qytet i vërtetë metropolitan. Ka jo vetëm festat e veta kombëtare, por edhe festat e komuniteteve e kombësive të tjera, që përbëjnë stofin e asaj që sot është Tirana moderne, ndaj dua një duartrokitje të ngrohtë për gjithë “tironsit” nga Kina që kemi sot këtu dhe që festojnë Vitin e Ri kinez. Me këtë mesazh, dua t’ju uroj të gjithë qytetarëve kinezë, tironsave kinezë, Gëzuar Vitin e Ri!”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se sheshi “Skënderbej” tashmë është kthyer në shtëpinë e madhe jo vetëm të gjithë shqiptarëve, por edhe për ata që janë miq në vendin tonë. “Mbaj mend kur kishim debatet për sheshin dhe thoshim: si do mbushet ky shesh i madh, nuk ka mjaftueshëm aktivitete, ndërkohë që në fakt, qoftë sot me Vitin e Ri kinez apo sa mbaruam festimet e vitit të ri apo edhe me aktivitetet me festën e Verës, kemi pothuajse të gjithë vitin të mbushur me aktivitete! Dua të falenderoj mjeshtrat kinezë që kanë zbukuruar sheshin, i cili besoj do të jetë një mundësi jo vetëm për të shijuar dhe bërë selfie, por edhe për të kuptuar raportet midis Shqipërisë dhe Kinës”, tha Veliaj.

Ai solli në vëmendje historinë e gjatë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës, por ky bashkëpunim, tha kryebashkiaku, vijon edhe sot, siç e dëshmon aktivititeti që do të mbahet në tetor në kryeqytet, ku do të mblidhen 16 bashkitë e të gjithë Europës Qendrore dhe Lindore në kuadër të iniciativës së Presidentit Xi Jinping, “Një brez, një rrugë”.

Një tjetër bashkëpunim me Kinën është mbështetja që ambasada kineze në Tiranë do të japë për infrastrukturën në kryeqytet. “Stacioni i autobusëve urbanë do të jetë pas Pallatit të Kulturës dhe falë një bashkëfinancimi të qeverisë kineze, do të kemi mundësi t’i bëjmë në një mënyrë të konsoliduar, duke rregulluar edhe pjesët e parkut dhe gjithë pjesën pas Pallatit të Kulturës dhe TOB-it”, sqaroi kryetari i bashkisë.

Veliaj pohoi se vitet e fundit është shtuar shumë edhe turizmi kinez në Tiranë e Shqipëri, çka pritet të 10-fishohet në vijim, kur janë shtuar edhe të rinjtë të cilët po mësojnë gjuhën kineze dhe do të mund të shërbejnë si guidë për turistët e shumtë. “Sot kemi 20 mijë turistë kinezë, është numri një i turistëve nga Azia. Por, tani që kemi çuna e goca që flasin perfekt kinezçe, do të kemi edhe guidat, edhe ata që do shoqërojnë dhe do jenë përfituesit kryesorë të rritjes së punësimit falë turistëve kinezë që do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri”, deklaroi Veliaj.

Ambasadori i Kinës në Tiranë falenderoi Bashkinë e Tiranës për krijimin e kësaj mundësie dhe vlerësoi zhvillimin e kryeqytetit. “Të dashur miq, vendi i sotëm, do t’i tregojë botës një Tiranë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe mikpritëse, e po ashtu do të shohim pamjen e bukur të një Tirane si metropol ndërkombëtar, ku bashkëjetojnë e lulëzojnë multikulturat. Ambasada kineze mezi pret të zhvillojë më shumë bashkëpunime me Tiranën, për të shfaqur më fuqishëm bukurinë dhe vitalitetin e Tiranës, të vendit të shqiponjave, Shqipërisë. Urime Tiranës! Urime Shqipërisë! Falënderimet dhe respekti shkojnë për institucionet që i kanë dhënë mbështetje të fortë këtij aktiviteti, si Bashkia e Tiranës dhe zoti Veliaj, Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Kinës, Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe të gjithë miqtë që kanë mbështetur këtë aktivitet. Gëzuar vitin e Ri Tirana!”, tha ai.

Kalendari tradicional kinez, ndryshe nga ai Gregorian, përcakton se kalimi nga viti i vjetër në të riun bëhet midis 21 janarit dhe 19 shkurtit. Festimet zgjasin 15 ditë dhe përfundojnë me festën e fenerëve, kur fëmijët kalojnë me dritat shumëngjyrëshe në një paradë tradicionale që korrenspondon me hënën e plotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat