Kreu i Administratives së Tiranës drejt rikonfirmimit, Vettingu: Makinën e bleu me lekët e gruas

Tirana

Kreu i Administratives së Tiranës drejt rikonfirmimit, Vettingu: Makinën e bleu me lekët e gruas

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 10:10
Eriol Roshi

Kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Eriol Roshi ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me rezultatet e hetimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e kryegjyqtarit të Tiranës përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari. Sipas të gjitha gjasave, Roshi do të konfirmohet në detyrë, pasi nuk janë gjetur shkelje në asnjërën prej tre shtyllave të vlerësimit. Nga verifikimi Eriol Roshi deklaron pasuri dhe të ardhura të zakonshme, ku KPK-ja dhe ILDKPK-ja nuk kanë konstatuar probleme.

"Subjekti zotëron apartament me sipërfaqe 110 m, me vlerë 72 milionë lekë. Burimi një kredi bankare në proces shlyerje. Vlerësimi i pasurisë, deklarimi i saktë në përputhje me ligjin. Ka burime financiare, nuk ka kryer deklarim të rremë. Makinën tip 'Benz' e blerë në 2014 me vlerë 6 mijë euro me lekë të bashkëshortes. Për apartamentin 110 m2, nga analiza është parë që ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Makinën tjetër në 2010 e ka blerë me kursime të tij dhe të babait. Në 2006 ka porositur ndërtim apartamenti tjetër, të ardhurat nga i ati, i cili ushtron një veprimtari shitje me pakicë.

Përsa i përket vlerësimit të figurës, ka arsyetim ligjor, proceset gjyqësore të tij janë të pastra. DSIK në përfundim ka konstatuar përshtatshmëri për vijim të punës" konstatoi komisioni. Përfaqësuesi i ONM-së e pyeti Roshin për apartamentet 'Si është bërë transaksioni për blerjen e banesave?' Roshi u përgjigj 'Jo përmes bankës, kanë qenë në shtëpi. Ka qenë dëshirë e prindërve të më përfshinin në apartamentin e parë, por që unë nuk kam paguar" tha ai. Në përfundim, Roshi me një eksperiencë prej 14 vitesh gjyqtar, ka kërkuar konfirmimin në detyrë, ndërsa vendimi do të jepet nesër në orën 09:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat