Raporti i ERRU: UKT me performancën më të mirë në vend për vitin 2018

Tirana

Raporti i ERRU: UKT me performancën më të mirë në vend për vitin 2018

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 11:10
Foto

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Bashkisë Tiranës është shoqëria që ka performuar më mirë gjatë vitit 2018. Enti Rregullator i Ujit ka publikuar raportin e tij vjetor për vitin që lamë pas dhe ku ndër të tjera konstaton se UKT ka performancën më të mirë ndër 57 shoqëritë e ngjashme në vend. Në veçanti ERRU thekson se UKT se tregues shumë të mirë UKT i ka sa i përket normës së arkëtimeve dhe mbledhjen e të ardhurave. Sipas këtij raporti niveli mesatar kombëtar i arkëtimeve mbetet edhe për këtë vit 79 për qind, ndërkohë që UK Tirana ka një nivel disa pikë më të lartë se kaq.     

“Niveli i këtij treguesi për të tretin vit radhazi mbetet në të njëjtin nivel rreth 79%. Gjithsesi, brenda 57 shoqërive ka nga ato shoqëri që kanë performancë shumë të mirë, me nivele mbi mesataren e sektorit si, UK Tiranë, UK Berat-Kuçovë, UK Maliq, UK Peqin, UK Librazhd etj, por nga ana tjetër ka shumë shoqëri me nivele të ulëta arkëtimi nën 60% si, UK Kukës, UK Peshkopi, UK Gramsh, UK Pustec, UK Roskovec, UK Sarandë etj”, thuhet në raportin e ERRU-s.

Gjithashtu ERRU gjatë këtij viti ka ndjekur nga afër mundësinë e realizimit të pagesës rregullatore të akumuluar dhe të papaguar duke e shtrirë atë brenda një afati kohor të arsyeshëm, gjë e cila është përfshirë në kontratën përkatëse me shoqëritë ujësjellës kanalizime. “Mbledhja e detyrimeve të prapambetura ka rezultuar pozitive veçanërisht për shoqëritë e mëdha UK Tirana, UK Durrës dhe UK Fier që përbëjnë pjesën më të madhe të detyrimit të akumuluar”, raporton ERRU.

Falë kësaj performance dhe qëndrueshmërie financiare, UK Tirana mundi që të sigurojë besimin e BERZH për të financuar me rreth 15 milionë euro për investime prioritare që do të përmirësojnë shërbimet dhe për të arritur objektivin për të siguruar furnizimin me ujë 24 orë brenda 5 viteve të ardhshme. Ndërkohë që UK Tirana ka nisur tashmë dy nga këto investimet kryesore, ai për dyfishimin e kapacitetit të filtrimit të ujit në Bovillë dhe ndërtimin e një linje të tre transmetimi deri në zonat periferike, siç është Unaza e Re, Astiri apo Kashari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat