Atentati me dy të vdekur në Vlorë, më shumë se 15 persona të shoqëruar

Tirana

Atentati me dy të vdekur në Vlorë, më shumë se 15 persona të shoqëruar

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 10:11
Foto

Më shumë se 15 persona janë shoqëruar nga policia e Vlorës lidhur me atentatin e një ditë më parë në zonën e "Ujit të Ftohtë, ku u vranë dy persona dhe u plagos një tjetër.

Mes të shoqëruarve janë persona të cilët mund të kenë qenë dëshmitarë dhe që kanë patur konflikte të mëparshme. 

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur me shumë se 25 gëzhoja. 

Pasditen e 17 shkurtit, Armando Sulejmani, anëtar i ish-bandës së Gaxhait por i hetuar si i përfshirë në një seri ngjarjes kriminale gjatë viteve të fundit në Vlorë, mbeti i plagosur në një atentat, ku dy persona të tjerë u vranë. 

42-vjeçari i njohur si Çipuri, mori dy plumba nga breshëria që i shkaktoi vdekjen kunatit  Orest Rexho dhe mikut Arjan Hasani. 
Tre burrave u bënë pritë në zonën e njohur si "Uji i Ftohtë" dhe aty autorët që mbeten ende të paidentifikuar zbrazën breshëri kallashnikovi ndaj makinës ku udhëtonin. 

Njëra nga viktimat u gjet në rrugë, ndërsa tjetra brenda një mjeti, duke ngritur dyshimet se ka tentuar për ti shpëtuar sulmit. 

Zona ku u shënua atentati duket se ishte e mirëmenduar për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. 

Disa minuta pas ngjarjes në Babicë u gjet një makinë e djegur, për të cilën ka dyshime se u përdor për atentatin. 

Policia ka ngritur një grup të posaçëm për ngjarjen, por nuk jep detaje për krimin e radhës që dyshohet se lidhet me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale në Vlorë.

Një pjesë pistave që po hetohet është edhe ajo e njohur në Vlorë si seria e hakmarrjes së Llanajve, përgjegjës për masakrën me tre viktima të Çolës, pasi Sulejmani është dyshuar si porositës i atentatit ndaj Ferdinand Llanajt në vitin 2017. 

Pasojë e kësaj sage, dyshohet se janë edhe vrasja e Albano Xhaferrit dhe zhdukja e Elvis Troqes, sikurse edhe atentati ndaj ndaj Mikel Mehmetit. 

Armando Sulejmani, personazh i njohur i krimit në Vlorë, i ka mbijetuar edhe një atentati më 23 maj të vitit 2016, kur u sulmua pranë shtëpisë me armë zjarri, ndërsa mbeti i plagosur në krah. 

Ndërsa Arjan Hasani rezulton i përfshirë në dosjen e  përgjimeve për 23 ton drogë në Vlorë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat