Hapen zyrat e reja për aplikimin për karta dhe pasaporta biometrike në Njësitë 6 dhe 7 - Bota Sot
Hapen zyrat e reja për aplikimin për karta dhe pasaporta biometrike në Njësitë 6 dhe 7

Tirana

Hapen zyrat e reja për aplikimin për karta dhe pasaporta biometrike në Njësitë 6 dhe 7

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 13:20
Erion Veliaj

Deri pak javë më parë, kjo hapësirë në afërsi të Pallatit me Shigjeta shërbente si lloto, ku të rinjtë harxhonin jo vetëm kohë, por edhe kursimet familjare për të vënë baste. Sot ajo është transformuar totalisht, për t’u kthyer në një nga zyrat moderne të aplikimit për karta dhe pasaporta biometrike për gjithë banorët e Njësive Administrative 6 dhe 7.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetët e PS, Blerina Gjylameti dhe Besnik Bare, si dhe zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda inspektuan mjediset e reja të zyrave të ALEAT-it, ndërsa vlerësuan faktin se banorët e këtyre dy njësive mund të aplikojnë në pak minuta për mjetet e reja të identifikimit, pa qenë nevoja të presin në radhë.

“Po inspektojmë një pikë që deri dje shërbente si pikë bastesh, kurse sot është si pikë identiteti. Unë besoj se identiteti real i këtij qyteti është ai që jemi, ai që përfaqësojmë, familja jonë, dhe nuk janë pikat e basteve, llotot dhe bingot. Më pëlqen që me transformimin e një hapësire, që më përpara ishte e pamundur ta aksesoje, pra me lirimin e pikave të basteve, edhe bashkia mund të përballojë qira në ish-epiqendrat e vesit. Është një lajm shumë i mirë për qytetin”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ai theksoi se tashmë, falë edhe punonjësve të trajnuar, çdo qytetar mund të marrë një shërbim shumë herë më të shpejtë, ndaj i ftoi ata që t’i drejtohen zyrave të reja për të aplikuar sa më parë për karta dhe pasaporta. “Për gjithë banorët e Njësisë 6 dhe 7, kjo është një pikë e unifikuar, me dy seksione, me staf të përkushtuar, çuna dhe goca të rinj, që shërbejnë me shumë devotshmëri. Në punë 4-5 minuta mbaron i gjithë procesi për marrjen e kartës së identitetit. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, t’i japim prioritet atyre që janë të moshuar, atyre që udhëtojnë, emigrantëve, ngaqë dokumenti iu duhet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, ku shtyrja e afatit nuk vlen. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët është të mos humbasim kohë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se krahas zyrave të posaçme të ALEAT-it, që po hapen në zona të ndryshme të Tiranës, funksionojnë paralelisht edhe zyrat pranë njësive administrative, ku gjithashtu qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se hapja e këtyre pikave u vjen në ndihmë gjithë qytetarëve. “Duke qenë se jam dhe deputete e Njësisë 6, por jo vetëm, edhe për zonat e njësive administrative përreth, është një zgjidhje shumë e mirë për faktin se nëse në Njësinë 6 ende mund të aplikojnë të gjithë ata që vijnë nga zonat përreth, Ndroqi, Vaqarri, dhe me radhë, këtu mund të vijnë qytetarët e tjerë. Zgjidhje shumë e mirë, por mbi të gjitha, ajo çfarë çdo ditë angazhohemi, është që qytetarët të marrin shërbimet maksimale me cilësi maksimale, dhe të mos rrinë të presin në ato radhë pafund”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Brendshme, Voda vlerësoi bashkëpunimin që ekziston mes pushtetit vendor, Ministrisë së Brendshme dhe ALEAT-it, për të krijuar kushte sa më të mira për aplikimet për mjetet biometrike të identifikimit. “Është një shenjë e shkëlqyer e bashkëpunimit shumë të mirë Bashki-Ministri e Brendshme, por edhe me ALEAT-in. Gjithashtu, ky është një shembull tjetër i ofrimit të shërbimeve me një lloj standardi të kënaqshëm për të gjithë qytetarët e Tiranës, por sot posaçërisht për njësitë 6 dhe 7”, tha Voda.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...