Veliaj: Mbill një pemë për mësuesin dhe nënën, një traditë që do ta mbajmë çdo vit - Bota Sot
Veliaj: Mbill një pemë për mësuesin dhe nënën, një traditë që do ta mbajmë çdo vit

Tirana

Veliaj: Mbill një pemë për mësuesin dhe nënën, një traditë që do ta mbajmë çdo vit

Më: 7 mars 2019 Në ora: 13:24
Veliaj me nxenesit

Nxënësit e gjimnazeve “Ismail Qemali” dhe “Asim Vokshi” zgjodhën t’ia urojnë ndryshe festën e 7 Marsit mësuesve të tyre.

Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ata iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve, por me qëllimin që pemët e mbjella të jenë dhurata e tyre për mësuesit këtë 7 Mars. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e të rinjve dhe përgjegjshmërinë e treguar për qytetin.

“Fakti që ka qenë një nga shkollat model me mësimet, me notat, me sportin, me aktivitete kulturore, me “Tirana Art Fest” dhe me mbjelljet e pemëve, do të thotë se realisht po funksionojmë si një komunitet, ‘një për të gjithë e të gjithë për një’. Kur ishte rasti i bashkisë që “Ismail Qemali” të ishte një shkollë model, e bëmë punën  tonë duke e rikonstruktuar plotësisht, por tani që bashkia ka nevojë për pemë, po na përgjigjet gjithë komuniteti i “Ismail Qemalit”, mësues, nxënës, prindër. Sot ju jam shumë mirënjohës”, tha ai.

Kjo nismë e bukur, me nxënës që mbjellin pemë kushtuar mësuesve dhe nënave të tyre, do të kthehet në traditë për kryeqytetin. “Një festim i 7 Marsit ndryshe: me lule që ndoshta zgjasin 24 orë apo pemë që zgjasin 24 apo 48 vite? Jam shumë i lumtur që jo vetëm “Ismail Qemali”, por shumë shkolla në Tiranë na janë bashkuar në fushatën e mbjelljes së pemëve. Hera e parë që 7-8 marsin ia kushtojmë me një pemë mësuesve dhe nënave tona dhe besoj që do kemi filluar një traditë që do ta mbajmë çdo vit”, tha Veliaj, teksa vlerësoi se përmes kësaj nisme tregohet edhe qytetaria e vërtetë.

“Unë jam me parimin: Kush është i mirë i bën të gjitha; edhe del mirë me mësime, edhe ka një përkushtim të jashtëzakonshëm në klasë, por fokusohet edhe tek arti, tek kultura, te sporti dhe gjelbërimi. Më vjen mirë që “Ismail Qemali” është ndër më të mirët sot si shkollë në Republikë, jo aq shumë për mësimet, se sa për qytetarinë që i ka të gjithë këto komponentë”, deklaroi Veliaj.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Rezarta Alla u shpreh se kjo nismë synon edhe rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë për të qenë pranë natyrës. “I bashkohemi bashkisë për pyllëzimin dhe gjelbërimin e mjedisit ku jetojmë. Sigurisht, kjo ka të bëjë me një ekologjizëm shpirtëror, me një ndjesi ndërgjegjësimi e përgjegjësie, por më shumë me një ndjeshmëri që këta të rinj i shprehin mjedisit sot, për ta pasur edhe nesër”, tha Alla.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...