Veliaj: Sot patëm një ditë të shëmtuar, fatmirësisht s’pashë asnjë qytetar nga Tirana - Bota Sot
Veliaj: Sot patëm një ditë të shëmtuar, fatmirësisht s’pashë asnjë qytetar nga Tirana

Tirana

Veliaj: Sot patëm një ditë të shëmtuar, fatmirësisht s’pashë asnjë qytetar nga Tirana

Më: 16 mars 2019 Në ora: 20:54
Erion Veliaj

Ndërsa ftoi qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen festimeve të organizuara nga Bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës së Verës,  kryebashkiaku Erion  e ka cilësuar një shfaqje të turpshme dhunën e përdorur në protestën e sotme ndaj pronës publike.

Ai theksoi se shumica në këtë qytet nuk e do dhunën, përkundrazi do që gjërat të shkojnë përpara.

Veliaj: “S’mund ta mohoj; sot patëm një ditë të shëmtuar. Fatmirësisht s’pashë asnjë qytetar nga Tirana dhe unë besoj se ata njerëz që vërtet e duan qytetin, jo vetëm që nuk këpusin një lule, por nuk përqafojnë dhunën, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë, duan që gjërat të shkojnë përpara, duan që partia kryesore të jetë familja e tyre, mirëqenie  e familjes së tyre, gëzimi i fëmijëve të tyre”.

Kryebashkiaku tha se përtej bindjeve politike, detyra e qytetarëve në 17 mars është që të tregojnë se ky qytet nuk e pranon bullizmin.

Ai shprehu bindjen se nesër do të kemi një shprehje qytetarie për të treguar se Tirana nuk i përulet dhunës.

Veliaj: “Një qytet që është i pastër, një qytet që është i drejtë, i përqafon dhe i pranon të gjithë. Ndaj, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, s’ka rëndësi nëse jemi të majtë ose të djathë, por nesër kemi një detyrë qytetare që të tregojmë se ky qytet nuk e pranon bullizmin dhe ky qytet qëndron për disa vlera për të cilat nuk ka dhunë që mund t’i mohojë. Jam i bindur se nesër do të kemi një shprehje qytetarie për të treguar se Tirana nuk i përulet bullizmit, që Tirana nuk i përulet dhunës, që Tirana nuk i përulet zjarrit, hurit dhe litarit, edhe që Tirana në fakt është një qytet që e do jetën, e do kulturën, e do artin, e do sportin, që është i hapur për të gjithë”.

Aktivitetet do të jenë të shtrira në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’iu mundësuar qytetarëve sa më shumë lojëra, argëtim, dhe hapësira festive.

Muzika do t’i shoqërojë kryeqytetasit edhe në zonën e ish-Bllokut, ndërkohë që për të gjithë ata që do t’i drejtohen kodrave të Liqenit Artificial, Bashkia e Tiranës ka organizuar koncerte, panaire dhe kampionate të ndryshme.

Veliaj: “Me të gjithë miqtë që na janë bashkuar në 50 skena, duke filluar nga “Blv. i Ri”, te Sheshi “Skënderbej” që është epiqendra e festimeve, te Parku “Rinia”, ku fokusi do jetë te fëmijët, te sportet ekstreme që i kemi te Sheshi “Nënë Tereza” dhe pastaj përfundojnë të gjitha aktivitetet te liqeni, ku edhe aty kemi një larmi aktivitetesh; duke filluar nga një skenë mbi ujë te Liqeni, e deri te aktivitetet e mëdha te Amfiteatri. E gjithë dita e nesërme është projektuar si një xhiro e madhe nëpër Tiranë, ku secili kap secilin prej 50 stacioneve, për ta mbyllur ditën te Liqeni i Tiranës, edhe për të thënë që Tirana jonë nuk përulet kurrë dhe është padyshim qyteti më i mirë në rajon”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...