Sulltan Novruzi/ Erion Veliaj dhe Valbona Selimllari shërbejnë drekën për personat në nevojë

Tirana

Sulltan Novruzi/ Erion Veliaj dhe Valbona Selimllari shërbejnë drekën për personat në nevojë

Më: 22 mars 2019 Në ora: 15:56
Erion Veliaj dhe Valbona Selimllari

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i shoqëruar nga Valbona Selimllari  shërbeu drekën në mensën e re sociale “Gonxhe Bojaxhi”, e hapur në Njësinë 4. Ai uroi gjithë besimtarët bektashinj për festën dhe theksoi se ditë të tilla janë një mundësi e mirë për të qenë pranë atyre që kanë nevojë.

“Një duartrokitje për miqtë tanë bektashinj që janë këtu, u urojmë shëndet dhe mbarësi. Gëzuar festën e Sulltan Novruzit, është një nga festat më të rëndësishme! Por, një nga gjërat më të bukura me qenë shqiptar është se ne i festojmë të gjitha, edhe Sulltan Novruzin, edhe Bajramin, edhe Krishtlindjet, edhe Pashkët. Jo vetëm për ata që janë bektashinj, por edhe gjithë të tjerët që festojnë ditën zyrtare të pranverës, e paçi gjithë jetën të lumtur. Pranverë e mbarësi. Shëndet e gëzuar”, tha Veliaj në urimin e tij.

Ai u shpreh se Bashkia e Tiranës i ka dhënë një rëndësi të veçantë personave në nevojë, ndërsa theksoi se mensat sociale që janë hapur në Tiranë janë kthyer në një histori suksesi, sa i përket kujdesit që tregojnë për të pamundurit. “Jam shpresëplotë, që ashtu si mandatin e parë kishim zero qendra sociale e mensa, dhe tani kemi 7, mund të bëjmë 7 të tjera, e 7 të tjera, sepse vërtet Tirana ka shumë progres, por ka dhe shumë nevoja. Në qoftë se secili nga ne shërben, ndihmon, kontribuon, qyteti ynë bëhet më i mirë”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryetari i Bashkisë theksoi se edhe mensa sociale “Gonxhe Bojaxhi” është kthyer një nga qendrat ku çdokush mund të gjejë mbështetje dhe një vakt të ngrohtë. “Më bëhet zemra mal sa herë vij te kjo qendër sociale sepse takoj shumë prej jush, dhe më vjen mirë që vazhdon shërbimi e puna në komunitet. Mbaj mend para 4 vitesh kur ky vend nuk ekzistonte fare, por ishte Bregu i Lumit, dhe e vetmja telefonatë që më bënte administratorja e njësisë ishte për të më thënë: O kryetar, u përmbytëm prapë! Tani na duket sikur kjo ka ndodhur para 100 vjetësh, sepse jo vetëm është rregulluar lumi, por fjala Bregu i Lumit nuk është më fjalë e keqe, është një vend për së mbari, ku janë bërë rrugët, ku është bërë shkolla fantastike “Ardian Klosi”, ku janë bërë terrenet sportive; më vjen mirë që ka filluar edhe qendra multifunksionale për fëmijët”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat