Veliaj: Historia nuk ka vend për ata që dalin kundër shkollës shqipe - Bota Sot
Veliaj: Historia nuk ka vend për ata që dalin kundër shkollës shqipe

Tirana

Veliaj: Historia nuk ka vend për ata që dalin kundër shkollës shqipe

Më: 8 prill 2019 Në ora: 15:45
Erion Veliaj

Pas çmimit nga Komisioni Europian, si qyteti më mikpritës për komunitetin rom, Tirana përzgjidhet edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytet që ka bërë më shumë për zgjidhjen e çështjes së mbingarkimit në çerdhe, kopshte dhe shkolla. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin “Dita e qyteteve” që u organizua sot nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën, me seli në Gjenevë, në fokus të të cilit ishte shkëmbimi i pikëpamjeve, njohurive dhe praktikave të mira planifikimit të suksesshëm që bëjnë bashkitë për të përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve të tyre.

“Jam shumë i lumtur që OKB-ja ka vendosur qytetet në epiqendër të diskutimit publik. Zakonisht, shtetet janë ato që marrin angazhimet kryesore, por në fund të ditës zbatohen nga qytetet dhe jam shumë i lumtur që Tirana u përzgjodh si një ndër qytetet që po zgjidh më në fund çështjen e mbingarkimit të kopshteve, çerdheve e shkollave. Në fillim të mandatit e nisëm me çerdhet, vijuam me kopshtet, tani ka ardhur radha e shkollave. Disa shkolla të reja i kemi bërë, siç është shkolla “Kosova”, shkolla “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, Liceu i ri, shkolla e re e Baletit, disa nga gjimnazet që janë shtuar në kapacitet, ama 17 shkollat e reja që kanë sot të gjitha kushtet për të qenë ndërtesa të qëndrueshme, me termoizolim, me hapësira që i kthejnë shkollat në qendra komunitare, ishin gjëja që u vlerësua më shumë në OKB e Gjenevës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i shkojë deri në fund realizimit të projektit të 17 shkollave, pavarësisht zhurmës që krijohet nga një pakicë që shprehet kundër çdo projekti që sjell zhvillim në qytet.

“Jam më i vendosur se kurrë që të vijojmë me projektin e 17 shkollave. Unë i di të gjitha forcat që janë ngritur kundër, me histeri, janë të njëjtat forca që u ngritën edhe kundër këndit të lojërave, sheshit “Skënderbej”, i cili pret një çmim tjetër, edhe kundër Pazarit të Ri. Megjithatë, dua t’i kujtoj kujtdo që ngrihet kundër shkollës shqipe, se historia e Shqipërisë ka një vend shumë të errët për ata që ngrenë dorë kundër shkollës shqipe. Sot, të gjesh justifikime, për sa kohë që bashkia shpronëson një privat dhe bën një shkollë, të sajosh histori dhe alibi, do të thotë të rezervosh vendin më të errët në historinë e Shqipërisë, kur ajo të shkruhet pas disa vitesh. Historia e Shqipërisë ka treguar se kush ka luftuar për shkollën dhe arsimin shqip, ka bërë investimin më të madh për vendin e tij”, theksoi Veliaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...