Veliaj: Në mandatin e dytë parku i Kasharit, “mushkëria” tjetër e kryeqytetit - Bota Sot
Veliaj: Në mandatin e dytë parku i Kasharit, “mushkëria” tjetër e kryeqytetit

Tirana

Veliaj: Në mandatin e dytë parku i Kasharit, “mushkëria” tjetër e kryeqytetit

Më: 28 prill 2019 Në ora: 13:12
Erion Veliaj ne Liqenin e Kasharit

Liqeni i Kasharit, i shfrytëzuar për shumë vite thjesht si një rezervuar për ujitjen e tokave në zonë, është shndërruar në një nga hapësirat më tërheqëse të Tiranës. Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve të reja buzë liqenit iu bashkuan edhe punonjësit e Operatorit Shtetëror të Energjisë Eelektrike (OSHEE), të cilët kontribuuan në shtimit e gjelbërimit në një zonë që po shfrytëzohet jo vetëm si mjedis çlodhës për komunitetin e shtuar të banorëve, por edhe nga turistët për aktivitete sportive.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi OSHEE-në për përgjegjësinë sociale që tregon duke kontribuar me mbjelljen e 60 pemëve. Ai nënvizoi se OSHEE-ja është tregues se në jo pak raste, falë mirëmenaxhimit, edhe kompanitë shtetërore mund të performojnë më mirë se ato private. “Është një provë konkrete se kompanitë shtetërore mund të menaxhojnë më mirë edhe se kompanitë private. E kemi parë këtë me kompaninë e pastrimit të Tiranës, me OSHEE-në, dhe besoj fort, si i majtë, si socialist, që po, është e mundur që kompanitë shtetërore, përveç bilancit ekonomik, të kenë edhe një bilanc social. Aksioni i sotëm futet tek tabela e bilancit social. Pra, jo vetëm një kompani që shërben mirë, që mbyll borxhet, jo vetëm që del me fitim dhe është likuide, po një kompani që sheh dhe ka sy, veshë e zemër për nevojat e komunitetit”, tha ai.

Liqeni i Kasharit është një destinacion perfekt për një fundjavë me familjen ose shoqërinë, ku mund të shijoni një piknik pranë liqenit dhe në ajër të pastër. Kryebashkiaku Veliaj tha se pas konturimit të bregut të liqenit, në mandatin e dytë puna do të vijojë me investime të reja për ta kthyer atë në një park me të gjitha standardet. “Fillimisht markuam territorin, duke e rrethuar me gjelbërim, pastaj siç vepruam në Farkë, filluam me rrugët pedonale. Jam i bindur se mandatin e dytë do të jetë padyshim një nga parqet e reja, me korsitë dhe me të gjithë shërbimet e tjera, vërtet për t’u patur zili, dhe për të rritur standardin”, deklaroi Veliaj.

Në këtë mënyrë, pas Parkut të Liqenit, atij të Farkës dhe të Vaqarrit, Tirana do të bëhet edhe me një “mushkëri” tjetër. “Kemi punuar në 4 parqe kryesore, liqenore: Parku i Liqenit të Tiranës, parku i Farkës, parku i Vaqarrit, ku kemi bërë mbjellje masive, dhe parku i katërt i Kasharit. Duam që secila zonë të shërbejë si një valvul shkarkimi, e një Tirane, që duam s’duam, me 1 milionë banorë dhe 200 mijë makina, ka nevojë të relaksohet, të merret me sport. Brenda mandatit tjetër, e gjithë zona e Njësisë 11, e Njësisë 7, e Njësisë Kashar, po këtu fus edhe jugun e Kombinatit, “Misto Mamen” dhe Yzberishtin, edhe Katundin e Ri, do të ketë një park që është më afër se sa parku i Liqenit”, deklaroi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e shtuar ndaj zonave që deri pak vite më parë ishin të harruara. “Falënderoj Bashkinë e Tiranës që i jep vëmendje të posaçme këtyre zonave, sidomos në zona të tilla si liqeni i Kasharit që janë atraksione turistike dhe mbi të gjitha, ndryshojnë historikun dhe jetesën e atyre që janë këtu, duke e bërë edhe më të bukur falë gjelbërimit dhe investimet e tjera”, deklaroi Gjylameti.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tiranë pranë OSHEE-së, Klevis Jahaj u shpreh se kjo nismë është një mënyrë për të kontribuar për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet. “Sektori i energjisë normalisht ka një efekt të caktuar në gjithë mjedisin që na rrethon dhe jo rastësisht kemi zgjedhur pikërisht Kasharin, ku kemi edhe dy nënstacione këtu, të cilët kanë një impakt në komunitet dhe në ambientin që na rrethon. Për këtë arsye gjithë punonjësit e Drejtorisë Rajonale e përqafuan këtë nismë të Bashkisë së Tiranës për t’u bërë pjesë dhe për të dhënë një kontribut sado të vogël në fondin total të bashkisë për rritjen e gjelbërimit të Tiranës”, tha Jahaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...