Veliaj: E gjetëm Tiranën me 7 orë ujë, brenda mandatit tjetër e çojmë në 24 orë

Tirana

Veliaj: E gjetëm Tiranën me 7 orë ujë, brenda mandatit tjetër e çojmë në 24 orë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 16:53
Erion Veliaj

Përpara 4 vitesh Tirana furnizohej me vetëm 7 orë ujë të pijshëm dhe sot falë investimeve dhe mirëmenaxhimit të UKT-së qytetarët e saj kanë një furnizim mesatarisht me 14 orë ujë në ditë në rubinetat e tyre. Por ambicia e Bashkisë së Tiranës është që brenda 4 viteve të mandatit të ardhshëm të arrihet që kryeqyteti të ketë një furnizim të pandërprerë me ujë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke folur sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, theksoi se për këtë qëllim në bashkëpunim edhe me qeverinë qendrore dhe mbështetjen e BERZH kanë nisur investimet në terren për të mundësuar dyfishimin e kapacitetit përpunues të ujit në Bovillë.

“Sapo ka filluar puna që nga liqeni i madh i Bovillës në mal deri në impiantin e Bovillës ku ne filtrojmë ujin që në fakt kanë të njëjtin emër, por janë 10 km distancë. Ka filluar për herë të parë pas 50 vitesh dyfishimi i ujit që marrim nga liqeni dhe e çojmë në impiant. Duke qenë se edhe impianti vetë po dyfishohet për filtrimin na duhet dhe prurja gjithashtu të dyfishohet. Nëse dyfishohet vrima e gjilpërës mund të dyfishohet edhe filli që shkon nëpër të për ta thënë metaforikisht. Ju kujtoj se duket sikur 4 vjet ishin para 400 vjetësh, por e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë dhe duam, siç kemi premtuar, nga 1 janari kur filluam këto investime madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, deri në fund të mandatit tjetër ne të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë dhe të ndihemi të gjithë krenar që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu ai bëri të ditur se krahas investimeve për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe filtrimit të ujit, po punohet paralelisht edhe me shtrirjen e një linje të re transmetimi deri në zonat më periferike të qytetit. “Ne gjithashtu kemi filluar me 3 lote, investimi që çon ujin direkt nga Bovilla në zonën e Astirit, Yzberishtit, Yershekut dhe Kasharit. Përfiton gjithashtu Kombinati, Misto Mame, Kodër Kamza dhe njësia 11. Zona të cilat janë stërurbanizuar në vitet e4 fundit falë lëvizjeve të mëdha demografike dhe më vjen mirë gjithashtu që po ecim paralelisht edhe në sjelljen e ujit, edhe në filtrimin, por edhe në shpërndarjen kapilare sidomos në zonat që e kanë vuajtur më shumë”, bëri të ditur kryebashkiaku Veliaj.

Një tjetër investim që do të jetë simbol i mandatit tjetër do jetë edhe rikonstruksioni i Piramidës dhe kthimin e saj në qendrën më të madhe të inovacionit dhe teknologjisë në rajon, ku do kenë mundësi që mijëra të rinj të mësojnë kodim dhe robotikës.

“Ne shumë shpejt do të prokurojmë dhe besoj që një nga stolitë e mandatit tonë të ardhshëm do të jetë padyshim qendra TUMO në Piramidën e Tiranës ku tashmë janë bërë bashkë jo vetëm operatorët që do të japin mësim për 5 mijë fëmijë çdo muaj në kurset kompjuterike të dizajnit, të sofëere-t, të kodimit, të realiteti virtual, të realiteti të argumentuar, të robotikës, të mekatronikës, por gjithashtu dhe shumë kompani private përveç atyre që përmenda që tashmë do të binjakëzohen me qendrën që shumë prej të rinjve tanë të kenë mundësi pastaj edhe të punësohen menjëherë pas. Kështu që besoj do të jemi të gjithë këtu këtë verë kur do të inaugurojmë fillimin e punimeve në Piramidë për të pasur edhe aty një histori suksesi”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu kryetari i bashkisë u ndal në fjalën e tij edhe te puna për plotësimin e pjesës së Paktit për Universitetin që i përket Bashkisë së Tiranës. Ai bëri të ditur se shumica e godinave në QS janë në opërfundim të rikonstruksionit dhe menjëherë pas tyre puna do të zhvendoset edhe në godinat e konvikteve të Universitetit Bujqësor. Ndërkohë kryebashkiaku theksoi se ajio që do ti vërë vulën mandatit të ardhshëm do jetë Kampusi Universitar. “Kur të kemi mbledhjen e fundit do t’ju bëj dhge një raport mbi propozimin final të Kampusit Unviersitar në Qytetin Studenti, që bashkë me qeverinë shqiptare ne duam të jetë një nga projektet simbol të mandatit tonë të dytë, në drejtimin e Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat