Protestat në Shqipëri, influencë ruse? Ja si përgjigjen Rama dhe Stoltenberg

Tirana

Protestat në Shqipëri, influencë ruse? Ja si përgjigjen Rama dhe Stoltenberg

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 14:37
Jens Stoltenberg dhe Edi Rama

(E plotësuar) - Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u pyet nga Top Channel, se nisur nga vala e protestave të fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, a ka informacione se në këto procese ka influencë ruse që kërkon një rajon të destabilizuar.

Në përgjigjen e tij, Stoltenberg, e vuri theksin te demokracia dhe te respektimi i institucioneve demokratike, duke apeluar për dialog pavarësisht debateve, duke ia kaluar fjalën kryeministrit Rama, nëse ka apo jo influencë ruse në Shqipëri.

“Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë. Ajo që nuk është e pranueshme është dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes proceseve demokratike. Zgjedhjet janë një element thelbësor i proceseve demokratike në shtetet anëtare të NATO-s, prandaj u bëj thirrje të gjithë palëve të marrin pjesë në proces. Palët të zgjidhin problemet përmes dialogut. Kemi parë përpjekjet e Rusisë për t’u përfshirë në institucionet e vendeve demokratike, duke u përfshirë edhe në institucionet e NATO-s”, tha Stoltenberg.

Ndërsa, kryeministri Rama ishte më i drejtpërdrejtë, duke mos mohuar mundësinë e një përfshirje të Rusisë në atë çfarë po ndodh në rajon.

“Së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-s, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo pa dashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE”, u përgjigj Rama.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Tiranë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”.

Ai është pritur nga ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ministrja e Mbrojtjes zhvilluan një takim të shkurtër ku u diskutua për situatën në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat