Siguria ushqimore/ Gjobë subjektit në Tiranë, u kap me 225 kg produkte pa etiketë

Tirana

Siguria ushqimore/ Gjobë subjektit në Tiranë, u kap me 225 kg produkte pa etiketë

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 11:35
Në Tiranë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me kontrollet rigoroze në operatorët e biznesit ushqimor për të garantuar përmbushjen e kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe interesave të konsumatorëve.

Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Tiranë nё subjektin “Sami Cerri” evidentoi se subjekti ushtronte aktivitetin “Prodhim dhe tregtim tё produkteve tё pastiçerisë” në mungesë të licencës përkatëse dhe regjistrit të shitjeve. Gjithashtu, u konstatuan 225 kg produkte me etiketa tё pa-notifikuara dhe qё nuk pёrmbushin kёrkesat ligjore (suxhuk me arra, llokume).

Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit u morën masat administrative:  “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa disponuar licencën përkatëse;   “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë; “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin; “Bllokim i produkti” me destinacion asgjësimin e sasisë prej 225 kg produkte ushqimore;  “Ndërprerje e aktivitetit”.

Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Fier në subjektin “Lindita Gjini” me aktivitet “Market” në qytetin e Lushnjës evidentoi tregtim të mallrave me afat përdorimi të kaluar (amareta, djath, kroasan, kek, çajra, çokollata, pije energjike, vafer etj).

Për shkeljet e kontaktuara ndaj subjektit u morën masat administrative: “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për tregtim të mallrave të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit;  “Bllokim i produktit” me afat përdorimi të kaluar me destinacion asgjësimin .

Kontrollet e kryera nga DRAKU Korçë në subjektet “Petraq Zhidro” dhe “Lico A+B” me aktivitet “Përpunim qumështi”, si dhe analizat laboratorike të mostrave përkatëse (djath i bardhë dhe djath kaçkavall), evidentuan mospërmbushje të kërkesave ligjore për treguesit e sigurisë së ushqimit.

Për shkeljet e konstatuara ndaj secilit prej subjekteve u morën masat administrative: “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për ushqim të pasigurt;  “Bllokim i produktit” në sasinë prej 500kg djath i papërshtatshëm për konsum për asgjësim.

Kontrolli i ushtruar nga DRAKU Korçë në subjektin “Florent Dikellari” me aktivitet “Njësi tregtimi” evidentoi kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Për këtë shkelje AKU mori masat administrative: “Gjobë” në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare;  “Ndërprerja e aktivitetit” deri në plotësimin e këtyre kushteve.

Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër, në kuadër të masave administrative të marra gjatë kontrolleve të kryera, ka bërë asgjësimin e rreth 48.7 ton produkti “farë misri” e papërshtatshme për mbjellje. Procesi i asgjësimit u krye me pjesëmarrjen e inspektorëve të AKU, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Drejtorisë të Tatimeve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat