Nga tregu agro-ushqimor te rrugët, ja projekti i Veliajt për fshatin

Tirana

Nga tregu agro-ushqimor te rrugët, ja projekti i Veliajt për fshatin

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 14:31
Ndroq

Banorët e fshatrave të Ndroqit nuk do të duhen të shqetësohen më për shitjen e produkteve ushqimore.  Së shpejti ata do të kenë edhe një treg shumice për produktet bujqësore duke thyer monopolin aktual që ka tregu i vetëm agro-ushqimor që ndodhet në kryeqytet.  Gjatë takimit elektoral me banorët e Ndroqit, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj deklaroi se përmes këtij vendimi do t’i jepet një impuls i ri zhvillimit të ekonomisë lokale.

“Mezi pres që të bëjmë disa gjëra për fshatin. Në mbledhjen e  fundit të Këshillit bashkiak ne themeluam Agjencinë tonë të tregut të shumicës publik, jo privat, për t’iu përgjigjur kërkesës së shumë fermerëve këtu të cilët më kanë thënë gjatë gjithë këtyre viteve: “Na rropën atje në Kashar. Le ta bëjë privati, por le të ketë edhe një shtetëror. Le ta bëjë ai me lek dhe kush do të shkojë atje, por le të ketë edhe një alternativë tjetër”.  Krijimi i tregut  të bashkisë, i tregut publik, që të konkurrojë tregun privat dhe ti japë një alternativë tjetër, për fermerin tonë ku mund të shesë sa të dojë kur të dojë, pa asnjë pengesë, është mënyra më e mirë për ta çliruar këtë situatë. Ne kemi dy mundësi, ose I futemi me gjyqe, me kontrata, me apelime, me bllokime që e dimë prej burokracisë zgjat pa fund, ose themi ti vazhdo punën tënde, por nuk do të na pengosh që ne të vazhdojmë punën tonë dhe shumë shpejt do kemi tregun e shumicës agro-ushqimor të Bashkisë Tiranës ku të gjithë ata që punojnë me punë të ndershme të kenë mundësi që ta bëjnë pa asnjë barrierë shitjen e tyre”, deklaroi Veliaj.

Me fokusin tek zhvillimi edhe i zonave rurale, Veliaj theksoi se krahas përmirësimit të infrastrukturës kryesore, do të vijojë puna edhe për projektin e rrugëve të brendshme të Ndroqit. “Do vijojë projekti i rrugëve të brendshme të fshatit Ndroq. Fakti që dikush më shkruan nga Ndroqi dhe thotë: “akoma më ka ngelur një pikë asfalti te dera ime fundore”, do të thotë që është bërë një pjesë e konsiderueshme dhe kur ka mbërritur ankesa që në ne duhet të zgjidhim edhe rrugicën më të fundit. Do të thotë që nëqoftëse në mandatin e  parë mbyllëm disa nga hallet kryesore, do kemi gjithë energjinë, gjithë fuqinë dhe gjithë mbështetjen për të mbyllur edhe këto çështje. Tani që edhe ARRSH-ja po na ndihmon që ne të futemi në rrugë kapilare në të gjitha lagjet e Ndroqit”, deklaroi ai.

Brenda katër viteve, Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë investimesh të rëndësishme në zonën e Ndroqit. Janë ndërtuar rrugët e brendshme të fshatit Ndroq,  rruga që lidh rrugën nacionale Tiranë – Durrës me shkollën 9-vjeçare “Seit Brahja”. Gjithashtu janë rikonstruktuar rrugët e fshatit Haskolje, rruga për makina Pinet – Sauqet, rruga Ndroq – Kërçukje-Zbarqe, rruga e fshatit Zhurje, rruga e fshatit Kalaç.

Krahas rrugëve, një investim i rëndësishëm është bërë edhe për rrjetin e ri të ujësjellësit, ndërkohë që është punuare dhe për kanalet ujitëse duke i dhënë një zhvillim gjithë ekonomisë lokale, sikurse është kanali ”Butac-Pinet”.

Një vëmendje i është kushtuar edhe infrastrukturës arsimore, ku pas shumë vitesh, është rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare në fshatin Shesh dhe terrenet sportive, ndërkohë që puna do të vijojë edhe për shkollën e mesme “Sadi Nuri” dhe rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “Ymer Kurti” duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe çështjen e arsimit. Gjithashtu puna do të vijojë edhe me rrugët e tjera lidhëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat