Tiranë: Lokalet 2019 në kushtet e ndarjes së thellë politike

Tirana

Tiranë: Lokalet 2019 në kushtet e ndarjes së thellë politike

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 06:51
OSBE

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it publikoi të premten në mbrëmje raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet lokale 2019 në Shqipëri. Sipas këtij raporti në listat e zgjedhësve figurojnë 3,536,016 qytetarë

Në krye të vëzhgimeve të këtij misioni është atmosfera politike tejet e polarizuar që po karakterizon këto zgjedhje. „Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI)", thekson raporti i publikuar të premten (14.06.2019) .

Në vijim të paraqitjes së atmosferës politike, ku po zhvillohen Lokalet 2019 në Shqipëri, raporti vë në në dukje protestat e opozitës të filluara para 4 muajsh, në shkurtin e kaluar pas heqjes dorë nga deputetët opozitarë nga mandatet parlamentare dhe thekson praninë e dhunës në protesta. „Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe nuk marrin pjesë në zgjedhje", konstaton raporti.

Garë pa kundërshtarë në më shumë se gjysmën e bashkive

 Raporti i ndërmjetëm i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it thekson, se në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Ai vëren se „Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë."

 Ai ndalet në situatën e krijuar nga shfuqizimi i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale me dekret nga Presidenti Meta dhe nisja e procedurave të shkarkimit të mundshëm të tij, pasi sipas PS shfuqizimi prej presidentit i datës 30 qershor është anti kushtetues. Por pavarësisht nga situata e rënduar politike për shkak të kundërshtisë lidhur me datën e zgjedhjeve, raporti i ndërmjetëm konstaton se, „Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet".

Mediat kryesore - të poziciounuara politikisht

Sipas raportit të ndërmjetëm të misionit vëzhgues ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it mediat kryesore në Shqipëri perceptohen si të pozicionuara politikisht. "Përdorimi i përmbajtjes së prodhuar nga partitë politike në edicionet informative mbetet shqetësim”, vë në dukje raporti.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 30 qershorit u ftua nga Qeveria e Tiranës. Ai kryesohet nga Ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një ekip bërthamë prej 13 vetësh, i vendosur në Tiranë dhe 18 vëzhgues afatgjatë të dërguar në të gjithë vendin, më 1 qershor. Anëtarët e misionit vijnë nga 22 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. Pritet që këto shtete të dërgojnë 250 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar ecurinë e Lokaleve 2019 në ditën e zhvillimit të tyre./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat