Veliaj: Kreditë e buta, histori suksesi, kurse opozita nuk pranoi t’i votojë; 30 qershori ditë feste

Tirana

Veliaj: Kreditë e buta, histori suksesi, kurse opozita nuk pranoi t’i votojë; 30 qershori ditë feste

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 16:35
Pamje nga takimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës drekoi në shtëpinë e një prej familjeve përfituese të kredisë së butë.

Më shumë se 2 mijë familje të reja kanë krijuar një strehëz të tyren në Tiranë, falë projektit të kredive të buta nga Bashkia e Tiranës. Nerisa dhe Taulant Nikaj janë një nga çiftet e reja që përmes kredisë me interesa të ulëta, përfituar nga bashkia, mundën të blejnë një shtëpi në Njësinë 4, në të cilën jetojnë së bashku me vajzën e tyre 5 vjeçare, Nikolën.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte mysafiri i tyre në strehëzën e re në Njësinë 4. “Kur shikoj familje që i kemi ndihmuar me vendimin për kreditë e buta, më ndihmon edhe mua që jo vetëm të bëj programe të tilla në të ardhmen, por edhe t’u them anëtarëve të Këshillit Bashkiak se kjo nuk është vetëm një ngritje dore, por me atë votë ke ndihmuar çuna dhe goca në të gjithë Tiranën, që të jetojnë pak më mirë. Pra, u ke dhënë dorën disa çifteve të reja”, tha Veliaj.

Kryefamiljari Taulant Nikaj e falenderoi kryetarin Veliaj për mundësinë që i dha familjes së tij, për të patur një shtëpi, ndërsa rrëfeu çastin kur nuk e kishte besuar që ishte shpallur fitues i kredisë së butë. “Ne jetonim me qira dhe kredia doli papritur. Melisa mezi e priste dhe sapo doli lista e pare tha: Do kërkoj për shtëpi. Dale moj, i thashë, se nuk ka dalë lista përfundimtare. Kërkonim pasditeve dhe na eci, e gjetëm në zonën që donim, siç e donim. Procedura ishte e thjeshtë. Shkova te njësia bashkiake, bëra aplikimin në bashki dhe pastaj dolën emrat”, tha ai.

Veliaj theksoi se, ashtu si për familjen Nikaj, programi i kredive të buta ka qenë një histori suksesi, pasi u erdhi në ndihmë familjeve që e kanë patur të pamundur të përballojnë interesat e tregut bankar për kredi. Por, teksa ky vendim ka ndryshuar jetën e shumë familjeve të reja në Tiranë, përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak nuk e votuan.

“Mbaj mend se kur kemi kaluar vendimin për kreditë e buta nuk ishte as PD-ja as LSI-ja në mbledhje. Më vunë në një siklet sepse njerëzit thonë ky na i premtoi kreditë e buta, ç’më duhet mua i ka apo jo numrat. Si t’ua shpjegosh që ky është program i bashkisë, por lista finale duhet votuar në Këshill, dhe ditën që do votonim listën finale për kreditë e buta, iku nga mbledhja edhe LSI-ja, edhe PD-ja. Pastaj, dolën disa nga këta të LSI-së, thanë që ne kemi thënë se do e ndihmojmë qytetin, do votojmë, kështu që 3 vota nga çamët dhe 3 nga LSI, nga 26 bëra 32, se 31 duhen, bëra 1 votë më shumë që të kaloja kreditë e buta”, kujtoi Veliaj.

Ai theksoi se në zgjedhjet e 30 qershorit Tirana dhe Shqipëria do të ndahen përgjithmonë nga politikanët që punojnë vetëm për interesat e veta dhe jo të qytetarëve që i kanë votuar. “Në datën 30 qershor ndahemi nga kjo histori. Njerëzit janë lodhur, më besoni për këtë, me të njëjtët njerëz që bëjnë gërr-vërr për 30 vjet, të bllokoj këtu, të bllokoj atje, s’të lë të bësh votime; janë lodhur nga një kryetare bashkie që djeg shkollat. Unë përpiqem të gjej sponsor për të bërë një palestër, të suvatoj shkollën, të blej një kondicioner, të më sjell një piano te Liceu, pra “lyp” hapur; pse? Se robi thotë që, për një gjë që unë e besoj s’e kam problem të “lyp”, po kush je ti që djeg shkollat? Sa njerëz janë vrarë për shkollat shqipe? Sa njerëz janë persekutuar? Kështu që, është një dalldi kolektive, që i ndodh disa partive para zgjedhjeve, por jam i sigurt se në datë 1 korrik njerëzit do kthehen në normalitet, do shkojnë në plazh, do shikojnë jetën e tyre”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ngjarjet e kësaj jave në Shkodër nuk u organizuan nga qytetarët shkodranë, por nga një grup i vogël punonjësish të bashkisë, të cilët ishin nën urdhrat e kryebashkiakes. “Nuk dogji Shkodra Shkodrën, por një çetë e vogël, një bandë hyzmeqarësh që ka edhe një javë punë në bashki, e thonë: hajde ta djegim shkollën, të justifikojmë rrogën, çfarë do të humbasim? Ne për të ikur që për të ikur kemi. Por, çështja është pse do të ikësh me turp? Se për shembull, Voltana, ajo s’do të bëjë kurrë hajër se u pa, një gjë bëri e nuk e qullosi dot, tani do të mbahet mend tërë jetën që dogji shkollën. Bujar Nishanit i rroftë që ishte President! Do mbahet mend tërë jetën që prishi këndin e lodrave të kalamajve”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se ata që drejtojnë sot opozitën nuk kanë hallin e shqiptarëve, por të interesave të tyre, nga frika për t’u përballur me drejtësinë. “Këta janë turistë, vijnë po gjetën delet t’i gënjejnë që t’i votojnë prapë dhe pastaj të vazhdojnë jetën në Holandë. Pas 30 qershorit, më 1 korrik Lulin e ke në Hollandë, ne do të gdhihemi prapë këtu; ndërsa ata, më datë 1 korrik, po nuk iu eci skema e prishjes së zgjedhjeve, do ikin ose për pushime ose do të kthehen në Hollandë. Këta kalamajtë i kanë jashtë, shpitë i kanë jashtë, i kanë bërë me pasaporta të huaja, dhe thonë: punë e madhe se u dogj Shqipëria. Prandaj iu them të gjithëve në takime, edhe demokratëve, bëni llogaritë tuaja, shihni familjet tuaja”, vijoi Veliaj.

Ai shtoi se zgjedhjet e 30 qershorit do jenë një ditë feste dhe askush në Tiranë nuk do guxojë t’i prishë ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat