U prek nga tërmeti, familjes me 7 anëtarë nga Picalla do t’i ndërtohet shtëpia nga e para - Bota Sot
U prek nga tërmeti, familjes me 7 anëtarë nga Picalla do t’i ndërtohet shtëpia nga e para

Tirana

U prek nga tërmeti, familjes me 7 anëtarë nga Picalla do t’i ndërtohet shtëpia nga e para

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 11:22
Familja me 7 anëtarë e Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës

Pas tërmetit të së shtunës, familja me 7 anëtarë e Mynyr Stafës në Picallë të Petrelës po i kalon ditët dhe netët tek të afërmit, ndërsa një pjesë të oriendive dhe veshjeve i ruajnë në çadrën e ngritur pranë banesës së dëmtuar. Por, kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë, pasi Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka nisur nga puna për të ndërtuar nga e para shtëpinë e tyre të re.

“Këtu s’banohet më, është e pabanueshme; suvatimet në tokë, ju’a di për nder që na mbështetët”, thotë kryefamiljari, i cili pa sesi në pak sekonda iu shkatërrua mundi i shumë viteve punë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, e siguroi familjen Stafa se Viti i Ri do t’i gjejë në një banesë të re. Ai theksoi se nën përkujdesjen e veçantë edhe të Kryeministrit, do të rindërtohen të gjitha banesat e dëmtuara. “Do ta rregullojmë shtëpinë për ty, për nusen, për 4 kalamajtë, për gjyshen. Më vjen mirë që, brenda javës, u bë vlerësimi i dëmit, erdhi firma. Kryeministri ka shprehur një merak shumë të veçantë për ta azhornuar përditë se ku jemi me shtëpitë. Shteti ka qenë në këmbë, sidomos në fillim, për shpëtimin e njerëzve dhe më pas në kohë rekord, për të vlerësuar të gjitha shtëpitë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Petrela është një nga zonat më të prekura nga tërmeti, ku edhe cilësia e ndërtimit të banesave linte shumë për të dëshiruar. “Shtëpitë e ndërtuara në mënyrë modeste ishin të parat që u goditën. Po ashtu, do të ndërtohen të parat. Sigurisht, do të merremi edhe me ato shtëpi që kanë nevojë për suva e meremetime. Kryesisht janë shtëpitë e fukarenjve, e atyre që i kanë bërë me shumë mund, me mjete rrethanore, me kushte primitive, kështu që do t’u japim atyre rëndësi”, deklaroi ai.

Veliaj theksoi se fakti që puna filloi menjëherë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe që të gjithë janë ende në terren, është treguesi më i qartë se kjo nuk është për zgjedhje apo për politikë. “Po të ishte kjo për punë zgjedhje, për politikë, nuk bëhej kurrë. Fakti që sot nuk kemi asnjë nevojë të tillë, por vetëm njerëzillëku që ta mbarojmë këtë punë dhe të dalim faqebardhë nga kjo sfidë që na solli Zoti, natyra, e ta përballojmë me dinjitet. Kjo na ka bërë që të jemi këtu përditë. Kështu që, edhe administratori, edhe Xhemali, gjithë forcat tona në terren kanë bërë një punë fantastike”, tha ai.

Duke shprehur besimin se shumë shpejt banesa e re do të jetë gati, deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen që ka treguar duke qenë i pranishëm në çdo shtëpi të dëmtuar. “Të falenderoj shumë kryetar që gjendesh në çdo shtëpi, dhe pikërisht tek shtëpitë e këtyre fukarenjve, që kanë fëmijë të vegjël dhe janë të pamundur për të bërë gjithçka. Shumë shpejt do vijmë në shtëpinë e re”, tha Qefalia.

Bashkia e Tiranës ka prej mëse një javë që po bën vlerësimin e të gjitha shtëpive të prekura nga tërmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...