Schallenberg: Sa herë që vij në Tiranë shoh zhvillim, mbështetje Shqipërisë për integrimin - Bota Sot
Schallenberg: Sa herë që vij në Tiranë shoh zhvillim, mbështetje Shqipërisë për integrimin

Tirana

Schallenberg: Sa herë që vij në Tiranë shoh zhvillim, mbështetje Shqipërisë për integrimin

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 16:46
Alexander Schallenberg, Erion Veliaj

Shqipëria është në rrugën e duhur drejt hapjes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian dhe zhvillimi që ka pësuar Tirana vitet e fundit është treguesi më i qartë për përkatësinë perëndimore të vendit tonë. Ky ishte mesazhi që përcolli ministri Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg në takimin me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke konfirmuar mbështetjen pa kushte të Austrisë për rrugën europiane të Shqipërisë, Schallenberg vlerësoi në mënyrë të veçantë ndryshimet pozitive që ka pësuar kryeqyteti shqiptar vitet e fundit.

 “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, në Tiranën me diell, për të takuar kryebashkiakun, ministrin e Jashtëm, Kryeministrin dhe Presidentin. Është një kënaqësi e madhe! Është hera e pestë apo e gjashtë që vij në Tiranë dhe çdo herë shoh zhvillimin dhe besoj se kjo është një gjë shumë pozitive, është diçka që njerëzit këtu duhet ta vlerësojnë që gjithçka po ecën para”, tha ministri Schallenberg.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi mikun austriak për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Austria i jep Shqipërisë në të gjitha sfidat e zhvillimit dhe integrimit. 

“Është një kënaqësi shumë e veçantë që kam një mik shumë të shtrenjtë, ministrin e jashtëm të Austrisë, një vend mik, një vend partner, një vend avokat i Shqipërisë në sfidën që kemi përpara për integrimin në BE. Ashtu siç ramë dakord me Aleksandrin, është shumë e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë, por gjithashtu edhe qytetet”, tha ai.

 Ministri Schallenberg theksoi se Austria është një avokate e përhershme e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit, ndaj dhe mbështet pa kushte çeljen e negociatave javën tjetër. 

“Shqipja ime është e dobët, por nga ato që tha kryetari Veliaj kuptova tre fjalë: Mik, avokat dhe maratonë. Isha këtu për një vizitë mes miqsh. Javën tjetër pritet që të merren vendime të rëndësishme për Shqipërinë nga BE. Prandaj, doja të isha këtu që të qartësoja se Austria për Shqipërinë është një nga avokatët për fillimin e negociatave. Ju keni mbështetjen tonë, ne do të mbajmë qëndrimin tonë stoik. Por, çfarëdo që të ndodhë, unë besoj se Shqipëria është në drejtimin e duhur dhe duhet ta vazhdojë këtë rrugë”, tha Schallenberg.

Në shenjë të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në mënyrë të veçantë mes Tiranës dhe Vienës, kryebashkiaku Veliaj dhe ministri Schallenberg mbollën një pemë në Parkun Europa. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...