Transformimi i Piramidës, bashkia merr në dorëzim projektin për të nisur punimet

Tirana

Transformimi i Piramidës, bashkia merr në dorëzim projektin për të nisur punimet

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 14:31
Erion Veliaj

Pas 30 vitesh, transformimi i Piramidës po bëhet një projekt konkret.

Bashkia e Tiranës mori në dorëzim nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), projektin në Piramidën e Tiranës, që do ta transformojë atë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Michael Granoff, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila i hap rrugën fazës përfundimtare të rikonstruksionit të Piramidës.

“Sot është akti final, kur ne marrim në dorëzim projektin, pra e përkthejmë ëndrrën në një projekt të zbatueshëm. Do të shohim se si në një vit e gjysmë do të transformojmë hapësirën më të lakmuar të qytetit të Tiranës, në hapësirën që do të transformojë, besoj, të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti. Kemi një projekt final, të cilin qyteti e mezi pret; do të jetë një xhevahir në qendër të Tiranës. Do sjellë një standard të ri në arkitekturë, por më e rëndësishmja, do sjellë një standard të ri në kulturë dhe kultura e teknologjisë së informacionit, sidomos tek fëmijët, është gjëja për të cilën Shqipëria ka më shumë nevojë. Ne nuk mund të jemi pafundësisht vendi i fasonëve, kemi nevojë të kalojmë nga koncepti dhe punësuesi më i madh, që është industria e call – centerave, në një industri të data-centerave; pra, në një industri që më shumë përqafon teknologjinë, punë që paguhen më mirë”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, e cilësoi projektin e Piramidës një mundësi unike, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë vendin, që do të ndihmojë të rinjtë të aftësohen dhe të përgatiten për të ardhmen.

“Është një mundësi unike për ne, që në bashkëpunim me kryetarin Veliaj, të bëjmë diçka kaq transformuese, jo vetëm për qytetin e Tiranës, por besoj për të gjithë vendin. Nuk ndodh shpesh të ndryshojmë edhe formën, edhe substancën, për të bërë një transformim të tillë. Në rastin e projektit të Piramidës ne do t’i bëjmë të dyja: Ta kthejmë në një ambient për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë në të ardhmen. Jo vetëm për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë talentet e tyre, por edhe në mënyrë që Tirana dhe Shqipëria t’i bashkohen botës më e kompletuar dhe të sigurohemi që fëmijët tanë të  fitojnë aftësitë e duhura për të zhvilluar talentin e tyre në kontekst global”, deklaroi Michael Granoff.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat